Kurti kërkon ndihmën e Austrisë për liberalizimin e vizave, kancelari austriak premton angazhimin bashkë me Gjermaninë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer, në konferencë shtypi, ka kërkuar nga ai që të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe integrimin evropian të vendit tonë.
Kurti tha se me kancelarin austriak ka biseduar për situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në ketë pjesë të Evropës dhe rëndësinë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe Bashkim Evropian.
“Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave në Këshillin Evropian, sepse ky është vendim i vonuar që po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset dhe ekonominë e Kosovës. Kosova duhet të përfitojë më shumë fonde nga BE-ja dhe fondet e BE-së duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.
Ai ka potencuar marrëdhëniet e mira të Kosovës me Austrinë, të cilat si të tilla do të vazhdojnë të mbesin edhe më tutje.
“Austria ishte rreze shprese gjatë okupimit dhe ndër shtetet e para që njohu dhe hapi ambasadën në vendin tonë. Biseduam për marrëdhëniet tradicionalisht të forta mes dy vendeve dhe mundësisë së thellimit të tyre. Jemi duke punuar për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe e sigurova kancelarin që Kosova vazhdon të mbetet aleat i besueshëm”, ka thënë Kurti
Kancelari austriak Karl Nehammer tha se Kosova duhet të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.
“Është e rëndësishme që Austria të jetë urë lidhëse e Kosovës me Bashkimin Evropian. Do të jetë e rëndësishme që ta përfshijmë edhe Gjermaninë, sepse dhe ata janë miq të Kosovës dhe ta përshpejtojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, shpresojmë t’ia dalim sepse Ballkani është pikë gjeostrategjike e gjeopolitike e rëndësishme për Austrinë”, ka thënë ai.
Ai tha se Austria është aleat i madh i Kosovës.
Lajmi i plotë: Kryeministri Kurti dhe Kancelari Federal i Republikës së Austrisë, Nehammer mbajtën konferencë të përbashkët për media