Kuvendi i Shqipërisë miraton me 123 vota rezolutë për mbështetjen e Ukrainës

Shpërndaje

Kuvendi i Shqipërisë me 123 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi një rezolutë me të cilën mbështet sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane.

Sipas dokumentit të rezolutës të publikuar nga Kuvendi, Shqipëria dënon agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Rusisë të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar.

Njëkohësisht përmes rezolutës nxitet dhe mbështetet veprimtaria diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Përmes kësaj rezolute mbështeten sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Nga ana tjetër në rezolutë bëhet thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Rezoluta gjithashtu dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në Përmbyllje të rezolutës, Kuvendi i kërkon qeverisë shqiptar të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, Këshillit të sigurisë të OKB-së, OSBE, Këshillit të Evropës, rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane;

Gjithashtu, qeverisa i kërkohet të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.