Osmani-Baerbock: Gjermania partner strategjik i Kosovës, jo vetëm në aspektin politik
Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me zëvendëskryeministren Gërvalla kanë takuar ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Në një shkrim në Facebook, Osmani tha se në takim është biseduar për zhvillimet aktuale, duke mos dhënë detaje tjera.
“Gjermania është partner strategjik i Kosovës jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë të sigurisë dhe ekonomisë. Pata kënaqësinë që, së bashku me Zëvendëskryeministren Gërvalla, të mirëpresim në takim, Ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, me të cilën biseduam për zhvillimet aktuale”, tha ajo.
Osmani theksoi se vendi ynë e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe rajonit.
“Marrëdhëniet me këtë shtet i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve kosovarë, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani”.
“Presim të punojmë bashkërisht për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe rajonit”, tha Osmani.