Putin planifikoi të pushtonte Ukrainën në tre ditë – rrëfehet një rob lufte (VIDEO)
Shërbimet speciale ukrainase publikuan një video me marrjen në pyetje të një ushtari rus të kapur rob.
Robi i luftës tregon se presidenti rus Vladimir Putin planifikoi të pushtonte Ukrainën brenda tre ditësh.
Pohimet e robit të luftës në këtë video që shihni më poshtë, të publikuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, nxjerrin detaje të planit që duket se ka dështuar në afate.
Pikërisht për këtë periudhë treditore u llogaritën edhe rezervat me të cilat u pajisën ushtarët që u dërguan për të luftuar në tokën ukrainase.
Sipas urdhrit të udhëheqjes së lartë ruse, telefonat dhe dokumentet u konfiskuan nga ushtria.
Personi në video ka deklaruar se për shkak se i është konfiskuar telefoni, prindërit nuk e kanë ditur vendndodhjen e tij.
Ai gjithashtu shtoi se nuk dinte asgjë se çfarë po bënte në të vërtetë ushtria ruse në tokën ukrainase.
“Më 24 shkurt, gjatë stërvitjeve, na thanë se do të marshonim në një rrugë të panjohur, dhe na thanë të merrnim ujë dhe ushqim për tre ditë. Pas tri ditësh do të ktheheshim në kamp. Po atë natë, ne kaluam kufirin me Ukrainën”, tha ai.
Gjatë marrjes në pyetje, i burgosuri tha se para se të nisej për në Ukrainë, atij dhe ushtarakëve të tjerë rusë iu konfiskuan telefonat me urdhër të komandës së lartë, ushqim dhe ujë iu dhanë për tre ditë dhe u dërguan në luftë.
“Ka një luftë në territorin e Ukrainës, civilët po vdesin, po qëllojnë dhe vrasin, po kryejnë mizori, po bombardojnë qytete, po shkatërrojnë kopshte,” thotë i burgosuri.
I riu është zënë rob pasi makina me të cilën udhëtonte me ushtarë të tjerë ishte prishur.
“Pra, plani blitz i Kremlinit tashmë ka dështuar. Jemi në tokën tonë dhe do ta mbrojmë deri në fund! Së bashku do të fitojmë!”, thuhet në mesazhin që shoqëron videon e shërbimit sekret ukrainas. /noa.al