Rama thirrje qytetarëve: Tregu i energjisë pengu më i madh i luftës! Bashkë të përballojmë krizën
Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve shqiptarëve që të bashkohen për të përballuar krizën që ka kapluar gjithë botën.
Ai thekson se Shqipëria e ka të pamundur që të mos preket nga kriza e energjisë, pasi nuk është në gjendje për ta prodhuar vetë.
Mirëpo në një kohë kur çmimi i energjisë ka pësuar një rritje në tregjet kombëtare, Rama thotë se kjo është nuk është reflektuar në vendin duke siguruar që do të vijojë financimi nga shteti, deri kur të jenë mundësitë.
“Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet. Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë! Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjitike. Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht! Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë!
Qysh me shfaqjen e shenjave të krizës energjitike disa muaj më parë, qeveria ka paralajmëruar kohë të vështira përpara dhe ka vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël. Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lek!
Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë. Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi. Por të gjithë duhet të vetëdijësohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje”, shkruan Rama.
Top Channel