Kurti: Sanksionet ndaj Rusisë kanë prekur çmimet e pothuajse secilit sektor, është kostoja e mbrojtjes së lirisë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sanksionet e vendosura karshi Rusisë kanë prekur çmimet e pothuajse secilit sektor.

Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë, përcjell Telegrafi.

“E kuptoj shqetësimin e secilit prej jush për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo gjë nuk është ndikuar nga ne, megjithatë kjo po na prek edhe neve. Kjo është kostoja e lirë. Sanksionet e vendosura kanë prekur çmimet e pothuajse secilit sektor, si në importin e energjisë elektrike, si në naftë dhe si në produktet që konsumojmë”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se kjo krizë po dikton rritjen e çmimit të naftës.

“Nëse në fund të vitit të kaluar ishte kriza energjetike që nxiti ngritjen e çmimeve, këtë vit është lufta në Ukrainë dhe përballja e perëndimit demokratik të bashkuar kundër Rusisë ajo që po dikton rritjen e çmimit të naftës. Rusia është një prej eksportuesve më të mëdhenj të gazit dhe naftës në tregun botëror”, ka shtuar ai.