Osmani pranon telegram urimi nga homologu Steinmeier: Gjermania do të mbetet partner i besueshëm për Kosovën

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë, ka pranuar telegram urimi nga homologu i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Steinmeier ka thënë se Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen.

Ai ka theksuar se do ta mbështesë Kosovën drejt një të ardhme paqësore, evropiane.

Në telegramin e urimit thuhet se që nga pavarësia, Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm dhe ka tejkaluar me sukses sfida të mëdha.

“Përkushtimi Juaj i qartë për vlerat demokratike, pikërisht edhe pas nisjes së luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e nënvizon vendin e Kosovës në bashkësinë e vlerave evropiane”.

Më tej, presidenti gjerman ka shkruar se Kosova gjendet para detyrave të mëdha: Forcimi i sundimit të ligjit, sikurse edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten thelbësore për ta forcuar më tej ekonominë dhe përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Evropian.

“Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor. Unë i gëzohem sukseseve të arritura rishtazi, si marrëveshja për njohjen e tabelave të automjeteve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së energjisë”, ka thënë ai.