Reagon ASh pasi nuk iu pranuan amendamentet: Pushteti nuk e ka me gjithë mend ndihmën për qytetarët

Shpërndaje

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pasi në Komisionin kuvendor nuk janë pranuar amendamentet për TVSh-në dhe akcizën që tashmë janë në seancë plenare për miratim,.

Reagimi i plotë:

Pushteti nuk e ka me gjithë mend ndihmën për qytetarët. Refuzon amandamentet e Aleancës për Shqiptarët.

Fatkeqësisht, shumica parlamentare tregoi se nuk e ka me gjithë mend ndihmën për qytetarët dhe nuk tregoi gadishmëri për të pranuar amandamentet tona që do të mbronin nga shtrenjtimi i derivateve. Dy amandamentet u refuzuan në Komisionin për financa dhe buxhet. Tani mbetet vetëm propozimi i Qeverisë i cili parasheh ulje, por të pamjaftueshme për të ndaluar shtrenjtimin e derivateve. Megjithatë ne do të mbështesim propozimin, sepse në këtë situatë vlerësojmë se sadopak duhet t’u dalim në ndihmë qytetarëve në këtë kohë krize.

Rikujtojmë se me amandamentet e dorëzuara sot, propozuam:

Për karburantin dizel akciza të zvogëlohet nga 15.5 denarë në 9 denarë!

Për karbuarantin benzin propozojmë që akciza të zvogëlohet nga 22 denarë në 15 denarë!

Giithashtu, propozuam që TVSH për dy llojet e karburanteve të zvogëlohet nga 18% në normën preferenciale prej 5%.

Me këto propozime në tregun me pakicë në rrethanat aktuale do të fitohen çmimet si vijon:

Benzini: 77 denarë;

Dizeli : 79,5 denarë.