Shënohet dita e komunës së Tetovës

Shpërndaje

Sot në sallën e madhe të Këshillit të Komunës së Tetovës u mbajt Seancë Solemne për Ditën e Komunës së Tetovës.

Në prani të qytetarëve të Tetovës, përfaqësuesve të arsimit, kulturës, artit, të mediave, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami pasi përshëndeti të pranishmit foli mbi rëndësinë e Ditës së Komunës së Tetovës dhe për historinë e re të Komunës sonë.

“Sot është 3 marsi – Dita e komunës së Tetovës, ditë që shënon edhe fillimin e erës demokratike në Tetovë. Në vitin 1992 u themelua këshilli i parë shumë partiak në Tetovë, duke shënuar kështu edhe fillimin e demokracisë institucionale në Tetovë. Për herë të parë në këto vende që sot jemi ulur Ne, në vitin 1992 u ulën këshilltarët të cilët ishin zgjedhur nga vota e qytetarëve përmes një procesi demokratik dhe të lirë. Qytetaret në përgjithësi menduan se me ardhjen e demokracisë do të zgjidhen të gjitha çështjet, mirëpo koha e dëshmoi të kundërtën sepse përkushtimi ndaj zhvillimit dhe ngritjes se procesit te demokracisë deri në shkallë të pranueshme për të gjithë nuk ka qenë sa duhet. Pavarësisht kësaj qytetari i Tetovës që atë ditë filloi ta ndjej nga afër pushtetin lokal dhe për herë të parë e kuptoi se komuna është e tyre e jo e pushtetit qendror. Instalimi i një sistemi të ri demokratik u përcoll me shumë vështirësi dhe obstruksione që bëheshin nga pushteti qendror i cili nguronte t’u jepte pushtet komunave të cilat tashmë kërkon të udhëhiqnin me qytetin e tyre”, tha Kasami.

Në fjalën e tij Kasami potencoi edhe nevojën e riformulimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, duke theksuar se është nevojë e kohës që komunat të kenë edhe decentralizim fiskal të plotë.

“Kjo po ndodh edhe ne kohën kur Ne po flasim për 30 vjetorin e themelimit të këshillit të parë shumë partiak sepse edhe pas 30 viteve demokraci lokale nuk kemi një decentralizim të plotë fiskal që është një nga përparësitë kryesore në përforcimin e kapaciteteve për menaxhim financiar të komunave”, ka thënë Kasami, duke shtuar se qytetarët kanë edhe një arsye më tepër që të festojnë pasi së bashku arritëm të largojnë nga komuna një udhëheqësi e cila për tetë vite ka zhvatur qytetarët e Tetovës dhe ka lënë qytetin të zhytur në borxhe dhe me një infrastrukturë të shkatërruar.

“Në anën tjetër sot, jo vetëm Ne në sallë, por të gjithë qytetarë duhet të festojnë sepse arritëm të largojnë nga komuna një udhëheqësi e cila për tetë vite ka zhvatur qytetarët e Tetovës dhe ka lënë qytetin të zhytur në borxhe me një infrastrukturë të shkatërruar, me dyert që nuk përfillnin qytetarët, me instalimin e antivlerave në shkolla dhe në institucionet tjera lokale. Pra, të nderuar, kjo është edhe një arsye më tepër për të festuar sot së bashku 30 vjetorin e sistemit pluralist në komunën e Tetovës dhe për të punuar në drejtim të instalimit të vlerave të mirëfillta”, ka thënë Kasami.

Në seancë u ndanë mirënjohje për personalitete të shquara nga sfera të ndryshme të shoqërisë, të cilët kontribuan në zhvillimin dhe afirmimin e qytetit të Tetovës. Poashtu mirënjohje posmortum iu nda edhe për veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Rafi Alilit, i cili kohë më parë ndërroi jetë.

Zyra për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun