Donfried: SHBA mbështet integrimin e Malit të Zi në BE

Shpërndaje

Mbështetja e SHBA-së për integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian ishte ajo çka theksoi ndihmëssekretarja e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Karen Donfried në Podgoricë, pas turit të vizitave në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Donfrid u takua me kryeministrin e ri, Dritan Abazoviç, të cilin e nxiti që të ecin së bashku përpara, me bindjen në rrugën e demokratizimit të shoqërisë malazeze dhe të reformave të nevojshme për integrimin në BE.

Abazoviç nënvizoi orientimin e fortë pro evropian të qeverisë së tij, sipas të cilit, është e fokusuar në bazat e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit rajonal.

Donfried gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve që rezultojnë nga përkatësia e vendit ballkanik në NATO dhe për të vazhduar me vendosmëri luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Mali i Zi iu bashkua NATO-s në vitin 2017, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Rusia, dhe është i angazhuar prej disa vitesh në negociatat e anëtarësimit në BE.

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm rrugën euroatlantike të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Donfried.