Osmani: Zgjedhja e Abazovicit, arritje e rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur kënaqësinë e saj për zgjedhjen e Dritan Abazoviqit në krye të Qeverisë së Malit të Zi.

Osmani thotë se është shumë premtuese që në krye të një vendi fqinjë të Kosovës vjen një person me të cilin Kosova ndanë rrugën e përbashkët drejt integrimeve në BE.

“Në këto kohë kur kontinenti ynë sfidohet nga autokratët dhe kur vazhdimisht sulmohen vlerat demokratike, është jashtëzakonisht premtuese të shohësh në krye të institucioneve të një vendi fqinj një mik me të cilin ndajmë rrugën e përbashkët drejt integrimit në BE”.

Ashtu edhe si liderët tjerë partiakë e institucional, edhe Osmani zgjedhjen e Dritanit në krye të ekzekutivit në Mal të Zi e ka quajtur arritje e rëndësishme për shqiptarët.

“Sot është po ashtu një arritje e rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi. Kosova dhe Mali i Zi gëzojnë raporte të shkëlqyera e jam e sigurt se bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet gjithnjë e më shumë”, ka shkruar Osmani duke i uruar punë të mbarë Abazoviqit.