Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vizitë zyrtare në Bullgari, takon homologun e tij bullgar, Rumen Radev

Shpërndaje

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po realizon një vizitë zyrtare në Bullgari, ndërkohë është takuar me homologun e tij bullgar, Rumen Radev, transmeton albazone.mk.

Njoftimi nga Presidenti Meta:

🇦🇱🤝🇧🇬 Së bashku me Presidentin, Rumen Radev konfirmuam sot se Shqipëria dhe Bullgaria janë në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënojnë agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë.
Dënoj krimet barbare me të cilat jemi njohur të gjithë, dhe për të cilat kërkohet hetim ndërkombëtar dhe jemi për një ndërprerje të menjëhershme të këtij agresioni, por dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, përmes dialogut dhe marrëveshjes.
Njëkohësisht, si dy vende anëtare të NATO-s jemi më të angazhuar se kurrë, për të dëshmuar përkushtimin tonë ndaj demokracisë dhe ndaj perspektivës më të fortë europiane dhe euro-atlantike të kontinentit tonë.

🇦🇱🤝🇧🇬 Në takimin shumë të frytshëm dhe miqësor që zhvillova sot në Sofje me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer dhe të pakushtëzuar, që vendi i tij i ka dhënë perspektivës europiane të Shqipërisë.
Në mënyrë që të japim mesazhe optimiste, për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Europian, do të ishin shumë të rëndësishme miratimi i kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga ana e Bashkimit Europian, sa më parë, ashtu sikurse edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Këto do të ishin qasje shumë të dobishme dhe strategjike të BE-së, për të dhënë mesazhe premtuese, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, dhe të gjithë ata, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti lirie, demokracie dhe paqeje në të ardhmen.

🇦🇱🤝🇧🇬 Mirënjohje Presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev për mikpritjen e ngrohtë në Sofje, në këtë vatër të rëndësishme politike dhe kulturore të shumë patriotëve shqiptarë dhe rilindasve kombëtarë, që punuan me përkushtim për Pavarësinë e Shqipërisë.
Mbështetur mbi këtë trashëgimi të vyer, marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore dhe tradicionale të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe dy popujve tanë miq kanë një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar dhe pasuruar më tej në të ardhmen.

I nderuar nga ceremonia shtetërore e pritjes së Presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev! Faleminderit! Благодаря!
🇦🇱🤝🇧🇬