“Propozimi i Maqedonisë së Veriut është hedhur poshtë që në shkurt”/Bullgaria së shpejti do ta dorëzojë propozimin e saj

Shpërndaje

Në ditë pas deklaratës së ministrit Osmani se ekziston dokument i cili është i pranueshëm për Maqedoninë, por se pritet përgjigjja e Sofjes zyrtare, nga Ministria e Jashtme bullgare thonë se ky dokument është hedhur poshtë që në shkurt në takimin e grupeve të ekspertëve. Propozimet e Maqedonisë për palën bullgare janë të papranueshme thonë nga MPJ-ja e Bullgarisë dhe paralajmërojnë se së shpejti do të dorëzojë propozimin e tyre.

“Takimi i fundit i ekspertëve të ministrive të punëve të jashtme u mbajt më 11 shkurt. Gjatë takimit në muajin shkurt pala bullgare i njoftoi përfaqësuesit e Republikës së Maqedonisë së Veriut se propozimet e tyre janë të papranueshme dhe se negociatat duhet të vazhdojnë. Kur të ketë gjasa për përparim të konsiderueshëm, pala bullgare do të dërgojë propozim të sajin me qëllim që të afrohen qëndrimet”, thonë nga MPJ-ja bullgare.

Kërkuam qëndrim nga ministri Osmani për pohimet e këtilla të MPJ-së së Bullgarisë dhe se cilët do të jenë hapat tanë të ardhshëm, megjithatë përgjigje nuk morëm. Nga opozitarja VMRO-DPMNE kërkojnë nga Osmani që të dalë dhe të tregojë se për çfarë dokumenti po negociohet. Fakti që qeveria e fsheh këtë dokument është arsyeja se pse kemi dyshime se po përgatitet tradhti në dëm të interesave nacionale dhe shtetërore, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

“Bëjmë thirrje që ta nxjerrin në pah këtë dokument të fshehtë dhe të tregojnë publikisht se çfarë përmban ky dokument. Andaj pyesim nëse qeveria e Dimitar Kovaçevskit e ndjek rrugën e paraardhësit të tij Zaev dhe nëse kanë hequr dorë nga simbolet e identitetit, këto janë historia dhe gjuha. Për këtë duhet të japin përgjigje sot e të mos heshtin dhe të mbajnë në fshehtësi për shkak se ky dokument është i fshehur dhe të tregojnë se çfarë po fsheh qeveria nga opinioni publik në Maqedoni“, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE -së.

Këto ditë ministrja e jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska doli me qëndrim se nuk ka asnjë lëvizje në çështjet politike mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe se Sofja mbetet në pozitat e saj. Ministri Osmani dje njoftoi se ka dokument si bazë për marrëveshje me Bullgarinë i cili është i pranueshëm për palën maqedonase por se pritet përgjigje nga Sofja zyrtare.