Xhaferi i përgjigjet deputetit Snopçe! “Po keqpërdorë fatkeqësinë e qytetarëve për pikë politike”

Shpërndaje

Kryeparlamentari Talat Xhaferi ia ktheu sot përgjigjen deputetit Halil Snopçe për anulimin Komisionit të përhershëm anketues, ku në rend dite ishte hetimi për Spitalin Modular të Tetovës dhe hetimi për aksidentin në Bullgari.

“Këto janë çështje për të cilat mendoj se është keqpërdorur fatkeqësia e qytetarëve tanë për qëllime politike ditore”, tha Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Sipas Xhaferit, kreu i Komisionit të përhershëm anketues, Halil Snopçe, ka thirrur mbledhjen e komisionit në mënyrë të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Shton se fatkeqësia në Bullgari dhe djegia e Spitalit modular në Tetovë janë në proces hetimor dhe deputetët nuk mund të diskutojnë për të njëjtat derisa nuk ka epilog në organet hetuese.

“Trupat punues nuk mund të kenë funksion hetues dhe gjyqësor sepse të dy pikat që pretendonte të sqarohen dhe shqyrtohen janë në proces gjyqësor. Por, duhet me pas të qartë se Talat Xhaferi në asnjë moment, as nuk e mbron dikë e as nuk e ka ndërmend të mbrojë dikë që është i implikuar dhe ka përgjegjësi për atë se çfarë ka ndodhur me rastet konkrete për të cilat diskutohet”, theksoi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Ndërkohë dje kreu i komisionit, Halil Snopçe pohoi se vendimi i anulimit të Komisionit, është vendim i njëanshëm dhe përbën shkelje për të cilën do të pasojë përgjegjësi.

“Si mund të anulohet mbledhje e cila jo vetëm juridikisht, por edhe faktikisht nuk është e mbajtur? Ku po e gjeni bazën juridike për këtë? Ju z. Xhaferi a mendoni se jeni Gjykatë Kushtetuese dhe si pasojë keni të drejtë të anuloni akte dhe veprime të ndërmarra apo kanë për qëllim të ndërmerren duke u munduar ta ktheni situatën pas?”, tha Halil Snopçe, deputet i ASh-së.

Edhe opozitarja VMRO-DPMNE ka reaguar se për tragjedinë në Tetovë dhe nga aksidenti në Bullgari ku humbën jetën 60 qytetarë, deri tani nuk ka asnjë informacion e as përgjegjësi.