Zelensky do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë më 3 maj
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë më 3 maj, përmes video-lidhjes.
Ky lajm është konfirmuar tashmë edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla e cila ka nxjerrë urdhrin për mbledhjen e seancës së posaçme të Kuvendit më datën 3 maj.
Presidenti ukrainas Zelensky do t’i drejtohet Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë – nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.
Shqipëria është rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetjen e Ukrainës, duke bashkëvepruar me aleatët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.
Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon sulmin rus në Ukrainë dhe së fundi kanë nisur iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës përmes OKB-së në këtë konflikt.
Adresimi në Kuvendin e Shqipërisë i presidentit të Ukrainës pason një telefonatë që Zelensky i ka bërë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në javët e para të luftës në Ukrainë për t’iu falënderuar këtij të fundit për përkrahjen dhe kontributin e Shqipërisë ndaj Ukrainës.