Takim me Von der Leyen, Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot në Bruksel presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së cilës i ka treguar nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, tha se mirëpret “Planin e Rritjes”, të prezantuar nga Von der Leyen.

“Në takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ritheksova nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, derisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim të BE-së, si sinjal i qartë që vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”, ka shkruar Osmani.

“Mirëpresim ‘Planin e Rritjes’, të prezantuar nga Presidentja Von der Leyen, për të cilin Kosova tashmë ka prezentuar planin konkret për reforma”, ka shkruar Osmani.

Osmani ndodhet në Bruksel ku po merr pjesë në samitin e rregullt vjetor të liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.