ASH: Komuna e Likovës plaçkit banorët, 350 euro për kyqje në ujësjellës

Shpërndaje

Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë!

Qëllimi i thirrjes së kësaj konference për media është vendimi i miratuar nga këshilli komunal i Komunës së Likovës në seancën e tetë te mbajtur me datë 26.05.2022.

Në bazë të këtij vendimi të votuar nga këshilltarët e BDI-së në këshillin komunal, çdo shtëpi ose familje obligohet që të paguaj kycjen në ujësjellësin komunal në vlerë prej 18,200 denarëve + 18% TVSH ose më saktësisht 350 euro, ndërsa çdo biznes obligohet të paguaj vlerën prej 36,400 denarë + 18% TVSH ose 700 euro.

Këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët në këtë seance votuan kundër këtij vendimi dhe ne si degë e ASH-së kundërshtojmë këtë vendim për arsyet në vijim:

E para, metodologjia e përcaktimit të kësaj shume është e pa qartë dhe kjo shumë e të hollave është e pa justifikueshme, e palogjikshme dhe len hapsirë për dyshim dhe për manipulim; pra komunat rurale që i kemi hulumtuar, si për shembull komuna e Vrapçishtit, tregojnë që shuma e kyçjes në vendet tjera është dyfish më e ulët sesa shuma e kërkuar nga Komuna e Likovës;

E dyta, shuma prej 350 eurove për banorët e komunës së Likovës është e papërballueshme duke e pasur parasysh që Komuna e Likovës është komuna më e varfër në Maqedoninë e Veriut ku papunësia tejkalon shkallën prej 50%, dhe mund të themi se pjesa dërmuese e banorëve janë shfrytëzuar të ndihmave sociale, me çka kjo shumë rëndon edhe më tepër buxhetin e familjeve;

E treta, një pjesë dërrmuese e fshatrave të komunës së Likovës veçmë kanë rrjet ujësjellësi të cilin e kanë ndërtuar me vet financim para shumë vitesh dhe ky vendim për pagesë nga 350 eurosh i obligon edhe ata të kryejnë pagesën e njejtë pa asnjë investim nga Komuna e Likovës apo buxheti i shtetit në rrjetin e ujësjellësit në ato fshatra;
E katërta, vendimi në fjalë është i pa drejtë dhe nuk përjashton kategoritë sociale apo familjet në nevojë si dhe familjet e dëshmoreve dhe invalidët e luftës.

Fshatrat e Komunës së Likovës si pasojë e e qeverisjes 20 vjeçare të BDI-së janë ende pa ujë. Premtimi i parë i kryetarit aktual Erkan Arifi në vitin 2017 ishte sigurimi me ujë të pijshëm brenda 4 vitesh për çdo familje, premtim të cilin nuk e realizoi ndërsa po bëhen gati pesë vite nga viti 2017 dhe ne ende jemi pa ujë të pijshëm.
Pas dy dekadave, në momentin që po flasim projekti i ujësjellësit është larg realizimit final edhe përskaj faktit që dy penda janë në territorin e komunës së Likovës dhe komuna jonë përveç dështimit në sigurimin e ujësjellësit dëshiron t’i zhvatë banorët për kyçje në ujësjellësin e vonuar.

Aleanca për Shqiptarët me këmbëngulje kërkon që:

Të rishqyrtohet vendimi i fundit i këshillit komunal dhe të ulet taksa e kyçjes deri në nivelin e mbulimit të shpenzimeve për kyçje, dhe njëkohësisht propozon që të ndiqet shembulli i komunës se Vrapçishtit , shembull ky që ofron përgjysmim i pagesës për kycje.

Të lirohen nga kyçja në ujësjellës të gjitha fshatrat të cilët veçmë kanë rrjet të ujësjellësit.

Të lirohen nga kyçja të gjitha familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe rastet sociale

Ne inkurajojmë të gjithë bashkëqytetarët tanë që të ndihmojnë ndaljen e kësaj zhvatje të drejtpërdrejt nga ana e administratës komunale dhe te bashkohen në inicitaivat që do të ndërmarrim duke shfrytëzuar te gjitha mekanizmat ligjor brenda dhe jashtë këshillit komunal ne mënyre që të parandalohet kjo vjedhje klasike që po tentohet t’u bëhet banorëve të kësaj komune.

Pres Konferencë e Aleancës për Shqiptarët/ Dega Likovë