Besimi: Buxheti nuk parasheh rritje pagash për administratën

Shpërndaje

Sindikatat mos të kërkojnë nga Ministria e Financave rritjen e pagave. Sipas Fatmir Besimit, ministria e tij nuk është kompetente për rritjen e pagave apo për të negociuar me sindikatat, shkruan Alsat.

Ai thotë se detyra e tij është vetëm të llogarisë nëse ka hapësirë në buxhet për të ndarë para për këtë. Pas reagimit të Lidhjes së Sindikatave se rishikimi i buxhetit nuk përmban 2806 denarët e premtuar, Besimi përgjigjet:

“Adresa nuk është Ministria e Financave. Është e rëndësishme të dihet se në pjesën e negociatave ne në rastin konkret në fazën kur po punohej rebalanci i buxhetit, nuk ka pasur negociata të përfunduara apo zgjidhje, nuk mund të parashikojmë gjëra që nuk janë të përcaktuara. Se diçka është premtuar, nuk mund ta konfirmoj, në raport me rebalancin. Por, ajo që po bisedohet, po bisedohet”, tha Fatmir Besimi- Ministër i Financave.

Lidhja e Sindikatave dha afat deri nesër, që Qeveria t’i ftojë në mbledhje. Nëse nuk ka përparim, ata do të marrin vendim për grevë të përgjithshme.

“Ajo që tha ministri i financave nuk është justifikim për ne, sepse ai është pjesë e ministrave të qeverisë dhe sigurisht është i njohur me atë që po negociohet në kolektivin e përgjithshëm për sektorin publik, e kjo ishte një rritje lineare prej 2806 denarë për punonjës. Në asnjë rast nuk është arsyetim ajo që nuk kemi nënshkruar, dhe na është premtuar në parim konform ribalancit të ri të buxhetit”, u shpreh Darko Dimovski – Kryetar i LSM-së.

Në mesin e muajit prill, zyrtarë të qeverisë dhe LSM-së njoftuan se kishin filluar një dialog për të nënshkruar një marrëveshje të re kolektive, që do të përfshinte një rritje.

E gjitha kjo për shkak të rritjes së çmimeve dhe shportës së konsumit. Por, deri më tani takimi i dytë nuk ka ndodhur./ Alsat.mk