Besimi: Me rishikimin e buxhetit mund të krijohen hapësira për masa të reja anti-krizë

Shpërndaje

Ministri i Financave, Fatmir Besimi në kolumnën e tij të fundit thotë se me rishikimin e buxhetit pritet të krijohen hapësira për masa të reja anti-krizë, përcjell TV21. Besimi thekson se kriza aktuale është “aftershock” nga pandemia dhe si i tillë duhet të jetë më i lehtë se goditja paraprake, si dhe se skenarët bazë të organizatave financiare ndërkombëtare për këtë vit parashohin rritje për ekonominë globale dhe vendase.

“Në Ministrinë e Financave tashmë zhvillohen konsultime me institucionet për nivelin e realizimit të projekteve dhe shpenzimet rrjedhëse. Atë që mund të them me plot siguri si ministër i Financave është se do të jemi maksimalisht konservatorë, kudo që lejohet – do të shkurtojmë. Kështu do të krijohet më shumë hapësirë ​​për reagime dhe masa të reja, të cilat në bazë të situatës ndoshta do të nevojiten sërish”, shkruan Besimi.

Ai theksoi se reagimi i deritanishëm i Qeverisë ndaj krizës aktuale është një ndër më të fuqishmit në rajon.

“Që nga fillimi i krizës, reagimi i Qeverisë ishte 615 milionë euro për masa lidhur me përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve. Kjo vlerë është ndër reagimet më të fuqishme ndaj krizës në rajon. Kroacia ka ndarë rreth 635 milionë euro, Greqia 500 milionë euro, Sllovenia dhe Shqipëria parashohin rreth 200 milionë euro, etj. Qëllimi ynë si Qeveri është që t’i përkrahim qytetarët, kategoritë e ndjeshme në radhë të parë, për ta ruajtur ekonominë dhe për ta tejkaluar këtë krizë, e më pas t’i kthehemi rrugës dhe qëllimit drejt të cilit jemi të orientuar – norma më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike”, shkruan Besimi.

Ministri besimi thotë se lufta në Ukrainë solli një dilemë të rëndësishme për hartuesit e politikave. Përballë krizave njëra pas tjetrës dhe përballë sfidës që të mos devijojmë nga ambicia e përcaktuar për rritje dhe zhvillim, trekëndëshi imponohet në mënyrë të paevitueshme në arritjen e këtyre tre qëllimeve: përballimi i krizës, ruajtja e nivelit të rritjes dhe konsolidimi fiskal.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore këshillojnë se politika fiskale duhet të adaptohet sipas shkallës së ekspozimit të ekonomisë ndaj luftës në Ukrainë, gjendjes së pandemisë dhe rrjedhës së rimëkëmbjes së ekonomisë. Nga njëra anë, për shkak të ekspanzionit të domosdoshëm fiskal në shumicën e vendeve gjatë pandemisë, borxhi arriti një rekord të lartë. Gjithashtu, si rezultat i reagimit të bankave qendrore ndaj presioneve të çmimeve përmes ngushtimit të politikës monetare, qeveritë përballen me norma të larta të interesit në tregjet e kapitalit. Megjithatë, nevoja për konsolidim nuk duhet t’i pengojë qeveritë që t’u japin prioritet masave të duhura për përkrahjen e standardit të kategorive të ndjeshme të qytetarëve, sensitivë ndaj presioneve të çmimeve dhe mbrojtjen e ekonomisë” shkruan ministri i Financave në kolumnën e tij.

Ai thekson se nga aspekti i menaxhimit të financave publike, arritja e qëllimeve të trekëndëshit të paevitueshëm trajtohet nga tre anët e buxhetit: ana e shpenzimeve me shkurtime dhe riproritizim, ana e të hyrave me reforma për efikasitet dhe konsolidim më të madh dhe ana e financimit me instrumente të qëndrueshme.