Interpelanca kundër Xhaferit arrin në Kuvend/ Nuk dihet kur do të vendoset në seancë plenare

Shpërndaje

Deri te kabineti i kryeparlamentarit Talat Xhaferi ka arritur interpelanca e ngritur kundër tij nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Nga Kuvendi nuk saktësuan se kur do të mbahet debati për interpelancën, por shtojnë se kryetari i Kuvendit do të veprojë sipas afateve të Rregullores.

“-Interpelanca vihet në rend dite në seancën e parë të radhës të Kuvendit, pas skadimit të 15 ditëve nga dita e shpërndarjes së përgjigjes deputetëve. Nëse përgjigjja nuk dërgohet brenda afatit të parashikuar me nenin 46 të kësaj Rregulloreje, interpelanca vihet në rend dite në seancën e parë të radhës të Kuvendit. (Neni 47) Në përputhje me nenin 49, paragrafi 1 i Rregullores, diskutimi për interpelancën zgjat një ditë pune, deri sa të përfundojë lista e deputetëve të paraqitur për fjalë, kurse vendoset më së voni deri në ora 24.00”- thanë nga Kuvendi.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE pret që interpelanca në afat sa më të shkurt të gjendet në seancë plenare. Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE u bëri thirrje edhe njëherë deputetëve të shumicës parlamentare që të votojnë kundër Xhaferit.

“Shfrytëzoj rastin që t’i bëj thirrje edhe deputetëve të shumicës që të tregojnë një nivel më të lartë të kulturës politike dhe të votojnë “për” këtë interpelancë me qëllim që Talat Xhaferi të mos jetë më kryeparlamentar sepse ndodhitë në periudhën e kaluar tregojnë se në këtë mënyrë dhe më këtë sjellje ai njeri nuk e meriton këtë funksion”- deklaroi Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM janë shprehur se nuk do të votojnë për shkarkimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, ndërsa partitë opozitare janë të gjitha të mendimit se Xhaferi nuk duhet të jetë në krye të shtëpisë ligjvënëse për shkak të skandalve të fundit me audio-inicizimin.