Ish presidenti i Shqipërisë me syze 60 mijë euro sikur Gruevski

Shpërndaje

Aktivistja Evi Kokalari ka kërkuar që SPAK të hetojë ish-presidentin Bamir Topi për syzet që ky i fundit ka. Në një postim në rrjetet sociale, Kokalari, e cila prej muajsh është bashkuar me Sali Berishën dhe nismën e tij për të rithemeluar PD-në, pyet se ku i ka gjetur Topi 60,000 euro për syzet e diellit. Kokalari sugjeron që Topi duhet të thotë ku e ka gjetur këtë shumë, ose Prokuroria e Posaçme duhet të nisë një investigim.

“Aman, ky Bamir Topi me 60,000€ syze dielli, bën mirë ta lërë këtë popull rehat. Jo mor jo, s’ke pse të dukesh i vobekt fare, por 60,000€ syze vetëm një njëri që se ka konceptin se si nxirren lekët me djersë mund ti harxhoi. Dhe miliarda të kesh, 60,000€ nuk harxhon njëri për syze dielli sepse është budallallëk me brirë. Tashti nëse vërtet kanë kushtuar aq, Bamir Topi bën mirë të na thotë ku i gjeti këto lek, dhe pse jo, SPAK të filloj një investigim”, shkruan Kolalari.

Ish-Presidenti thuajse nuk i heq kurrë këto syze dhe ka pranuar se ato janë aspak të lira. I pyetur 4 vite më parë nga një moderatore televizive, Bamir Topi u shpreh: “Syzet janë jo të lira, të rralla por syze që i shkojnë formatit tim”. Këto syze janë prodhim i limituar dhe shumë pak njerëz kanë mundësinë t’i blejnë. Sipas një kërkimi rezulton se syzet janë “Diplomat I” nga Maybach dhe kushtojnë 60 mijë dollarë.

Sulmet ndaj Topit nisën pasi ish-presidenti kërkoi, mes të tjerash, edhe hetimin e Berishës për masakrën e 21 janarit. Sipas tij, pas vrasjeve nisi një komision hetimor nga opozita e asaj kohe, sot në pushtet. Por ai komision kurrë nuk përfundoi dhe nuk pati asnjë rezultat. Topi ka pyetur Ramën se përse nuk e rihap atë çështje dhe t’i shkojë deri në fund historisë. Kaq do të mjaftojë sipas tij, që drejtësia të veprojë. “Kjo është arsyeja pse ia jam drejtuar Ramës kur u bë kryeministër. Kur thoshte që s’kam tagër, por aty është bërë gjyq politik dhe ka mbetur në mes. Gjyqi aty duhet të mbaronte, duhet ta kishin bërë. Unë nuk aludoj fundin e procesit, por është proces i lënë në mes, nuk ka lidhje me institucionet e drejtësisë, por me politikën. Ai që është sot në pushtet ka një detyrim të madh. Arsyen pse se nuk prek gjyqin politik e di ai. Nuk aludoj fare, por është detyrë e Parlamentit që të kthej kokën pas, që ekziston një komision që nuk ka raport. Në përfundim të raportit kjo është indicia për institucionet e drejtësisë”, tha ai në “Top Channel”.