Kasami shkarkon drejtoreshën e gjimnazit! Llala: Vendim i përshpejtuar, revizioni selektiv

Shpërndaje

Revizioni i komunës së Tetovës ka konstatuar keqpërdorime në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”. Komuna e ka informuar Këshillin e Shkollës, me çka këshilli ka propozuar shkarkimin e drejtoreshës Teuta Llalla. Më pas kryetari Bilall Kasami ka vepruar në bazë të propozimit të këshillit.

“Sipas raportit në fjalë gjatë procedurave janë konstatuar shkelje të shumta financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe e kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit edukativo arsimor. Këshilli i shkollës ka të drejtë ligjore që urgjentisht të thirr mbledhje, të shqyrtpjë raportin e revizionit dhe pas konstatimit për shkelje të shumta, ka të drejtë të propozojë shkarkimin e drejtorit dhe për këtë e njofton kryetarin e Komunës së Tetovës. Pas arritjes se propozimit të Këshillit të Gjimnazit me NR 03-201/1 të datës 11.05.2022 kryetari veproi në bazë të dispozitave ligjore, që për bazë ka propozimin e këshillit të shkollës”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Drejtoresha Llalla thotë se nuk ka qenë e informuar se është mbajtur ndonjë mbledhje dhe se ka ndonjë raport në lidhje me të.

“Në aktvendimin e lëshuar nga ana e kryetarit të komunës kërkohet shkarkimi im. Arsyetimi i kryetarit të komunës është se është bërë një kërkesë nga këshilli shkollës për të cilën mbledhje unë nuk kamë asnjë informacion se është mbajtur edhe nuk kam raport nga mbledhja e këshillit të shkollës”, tha Teuta Llalla – drejtoresh e gjimnazit në largim.

Drejtoresha revizionin e quan revizion selektiv.

“Fillimisht unë revizion do ta quaj një revizion selektiv për arsyeje se përfshinë periudhën kur vetëm unë jam drejtoreshë, një hapësirë e madhe kohore nuk është mbuluar nga revizioni edhe kam dyshimet e mija se ky është një revizion selektiv”, theksoi Teuta Llalla – drejtoresh e gjimnazit në largim.

Llalla thotë se do të ndjek të gjithë procedurat ligjore, ndërsa kohë më parë ajo paraqiti në media kërcënime nga ana e përfaqësuesve të komunës së Tetovës , të cilët sipas saj me urdhër të kryetarit kanë kërkuar që të japë dorëheqje, gjë që u mohua nga Komuna Tetovës./TV21