Kurti: Qëllimi i vizitës në Kaliforni është vendosja e Kosovës në hartën botërore të investimeve në teknologji të informacionit

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video në rrjetin social ‘Facebook’, duke u paraqitur nga San Francisko, Kaliforni, duke thënë se sapo ka përfunduar vizitën dyditore atje.

Kurti ka thënë se qëllimi i vizitës në Kaliforni është vendosja e Kosovës në hartën botërore të investimeve në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Ai ka përmendur kompanitë që i ka vizituar atje.

“Në Silicon Valley, qendrën amerikane të teknologjisë së informacionit, zhvilluam një sërë takimesh me kompani të mëdha globale si LinkedI, VMWare, Airbnb, Microsoft dhe Uber, por edhe me firmat investuese Andressen Horowitz dhe Sumeru Equity Partners, për të ofruar qasje në financa për talentet kreative të Kosovës”, tha Kurti.

“Jemi takuar edhe me qendra të inovacionit teknologjik dhe social, si me profesionistë të teknologjisë së informacionit në kuadër të dialogut me mërgatën, e të cilët punojnë në Oracle, Facebook, Amazon, Apple, Netflix dhe shumë e shumë të tjera”, ka shtuar ai.

Tutje, Kurti tha se me kompanitë me të cilat është takuar i ka njoftuar për progresin ekonomik, teknologjik dhe demokratik në Kosovë dhe për planet e Qeverisë në të ardhmen dhe për mundësitë për investime në Kosovë.

Nga San Francisko Kurti tha se do të niset për në Dallas të Teksasit.

Kryeministri Albin Kurti është nisur të premten më 6 maj për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Siç është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit, Kurti gjatë qëndrimit në SHBA do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.