Neziri: Mbrëmë penguam tentimin e BDI-së për hapjen e një llotarie të re

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një konference për shtyp të drejtuar nga Adnan Neziri thonë se kanë demaskuar BDI-në pasi mbrëmë këta të fundit kanë tentuar një vendim që lejonte hapjen e një lotarie të re në bashkëpunim me Lotarinë Shtetërore.

Në vazhdim ju sjellim deklaraten per shtyp:

Të nderuara media

Tënderuar qytetarë

Jemi këtu për të demaskuar intrigat e BDI-së të cilët edhe pse në fushatë dhe tani vazhdojnë të trumbetojnë se janë kundër lojrave të fatit, mbrëmë tentuan të kontrabandojnë një vendim që u lejon atyre hapjen e një llotarie në bashkëveprim me llotarinë shtetërore.

Deri në orët e vona deputetët e BDI-së, të mbështetur edhe nga LSDM tentuan që përmes komisionit juridikoligjvënës të miratojnë interpretimin autentik të nenit 7 të ligjit për lojrat e fatit që i hap rrugën hapjes së një llotarie në partneritet mes llotarisë shtetërore dhe investitorit privat. Gjithë këtë operacion ata tentuan ta bëjnë në mënyrën më të vrazhdë, duke anashkaluar edhe komisionin amë, atë për financa dhe buxhet me qëllim që sot të hynte në seancë plenare. Përveç kësaj mbrëmë ka ndodhur edhe një shkelje tjetër, ku të bindur se interpretimi do të kalojë, ata janë ngutur dhe shpalljen për hapjen e llotarisë e kanë publikuar në gazetë zyrtare pa një vendim të Kuvendit.

Se kush dëshiron të përfitojë nga kjo punë shihet qartë nga ajo se kush janë propozuesit. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari i ka propozuar Kuvendit kërkesën për interpretim autentik, ndërsa në mënyrë eksprese, zv/kryeministri Artan Grubi ka dhënë mendim pozitiv në emër të Qeverisë.

Ata që për dy dekada luajnë bixhoz me fatin e qytetarëve tani duan të hapin edhe llotari në partneritet privat-publik, por ju bëjmë me dije se derisa Aleanca për Shqiptarët të jetë në Kuvend, do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që të mos lejojmë forcimin e këtyre dukurive devijante, ashtu siç nuk lejuam mbrëmë as miratimin e rendit të ditës ku ishte edhe kjo pikë.