Osmani takon homologun ukrainas: Fokus i bisedimeve ishin perspektivat evropiane të dy vendeve
Perspektivat evropiane të Shkupit dhe Kievit, veçanërisht për sa i përket implikimeve të luftës në Ukrainë për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian dhe më gjerë, ishin në fokusin e bisedimeve të sotme të shefit të diplomacisë, Bujar Osmani me homologun e tij ukrainas, Dimitro Kuleba në margjinat e takimit ministror joformal të NATO-s në Berlin. Zyra për media e Ministrisë së Jashtme, përcjell se ministri Osmani në takim ka deklaruar se “mënyra më e thjeshtë për të demonstruar lidershipin strategjik të Bashkimit Evropian dhe kredibilitetin e tij është zbatimi i vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut”. Më tej, siç kumton MPJ, në takim është biseduar edhe për gjendjen aktuale në Ukrainë, ku ministri Osmani edhe me këtë rast e dënoi ashpër invazionin ushtarak rus në Ukrainë, veçanërisht vrasjet brutale të civilëve, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe kandidat kredibil për anëtarësim ka ndërmarrë një sërë hapash dhe masash si përgjigje ndaj veprimeve ushtarake ruse.