UT e prezantoi ofertën akademike 2022/2023 para maturantëve të Tetovës dhe Kërçovës

Shpërndaje

Universiteti i Tetovës filloi prezantimin e ofertës akademike për vitin akademik 2022/2023 para maturantëve të vendit tonë. Ekipi promovues sot ka vizituar maturantët e shkollës së mesme të gjimnazit “7 Marsi” në Tetovë dhe maturantët e gjimnazit “Drita” të qytetit të Kërçovës.

Me këtë rast para maturantëve ata kanë dhënë informacione rreth organizimit të studimeve, kushtet dhe mundësitë që ofrohen për studentët, mënyrën e studimeve si dhe po ashtu rëndësi e veçantë u është kushtuar edhe kritereve që maturantët duhet t’i plotësojnë për t’u regjistruar si studentë të Universitetit të Tetovës.

Këtë vit akademik Universiteti ynë ofron 89 programe studimore në ciklin e parë dhe 94 në ciklin e dytë në 13 njësi akademike. Për të gjithë maturantët u ndanë materiale me informacione të detajura për çdo njësi akademike për programet studimore që ofrohen për studentët e rinj. Ditëve në vijim ekipi promovues do të vizitojë edhe maturantët e shkollave tjera në të gjitha qytetet e vendit tonë për t’i informuar me ofertën akademike.

Profesorët e UT-së i kanë ftuar maturantët që më 12 maj të jenë prezentë në sheshin e rektoratit për të marrë pjesë në Ditën e Hapur.