Bajram Begaj me 78 vota ‘pro’ zgjidhet President i Shqipërisë

Shpërndaje

U votua me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim

Nga 25 Korriku, e për 5 vitet në vijim Bajram Begaj do të jetë kreu i shtetit.

Presidenti i Republikës që u propozua nga socialistët arriti të zgjidhej në raundin e katërt ku kërkohet shumicë e thjeshtë dhe mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Vota që ju bashkua 77 deputetëve të shumicës, me shumë gjasë erdhi nga PDIU, pasi deputetët e LSI që u bënë pjesë e votimit në mënyrë demostrative nuk pranuan të futeshin në dhomën e fshehtë, por votuan përpara kamerave.

Pavarësisht se nuk arriti të marrë mbështetjen e opozitës, Edi Rama e quajti objektiv të përmbushur duke i dhënë shqiptarëve një president me integritet si Bajram Begaj.

Por procesi i zgjedhjes së Presidentit tregoi përçarjen e thellë të opozitës. Pjesë e seancës u bënë 26 deputetë, deputetët demokratë që mbështesin Sali Berishën, LSI me 3 deputetët e saj, 3 deputetët e PDIU-s, aleatët e tjerë, aleatët tradicionalë të selisë blu Mediu, Shehu e Duka por dhe një grup i vogël deputetësh demokratë që duken si një fraksion “i pavarur” brenda grupit parlamentar. Pa një vendim të unifikuar, gjysma e tyre të drejtuar nga Berisha e braktisën seancën.

Argumenti i Berishës ishte se u shkel Kushtetuta si nga Kuvendi ashtu dhe Presidenti.

Kuvendi, sepse sipas tij pranoi kandidat për president një ushtarak aktiv dhe me detyrën e Shtefit të Shtabit të Forcave të Armatosura në kundërshtim me përcaktimet e Kushtetutës, ndërsa Meta se firmosi dekretin jashtë territorit të vendit për lirimin nga detyra të Begajt.

Berisha nuk pranoi në asnjë moment të bënte një vlerësim për figurën e Begajt, për të cilin kur ka qenë kryeministër ka firmosur emërimin si Drejtor i Spitalit Ushtarak, por kujtoi se ka një denoncim në SPAK për të.

Denoncim per Begajn kryeministri e injoroi.

Presidenti i ri që u mor menjëherë pas votimit nën mbrojtje nga Garda e Republikës, detyrën do ta marrë vetëm pas 24 Korrikut kur përfundon mandati i presidentit Meta.