Pritet vendimi për negociatat, Rama nga Brukseli: Nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari

Shpërndaje

Përpara nisjes së samitit 2-ditor të Brukselit ku është i ftuar të marrë pjesë, Kryeministri Edi Rama ka folur për gazetaren e Tv Klan lidhur me vendimin që pritet të merret për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Sërish kreu i qeverisë shqiptare u shpreh skeptik për hapjen e negociatave për shkak të ngërçit.

“Po e përsëris përkundër optimizmit të ngritur të disa edhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por ndërkohë nëse do zgjidhet, do të jetë motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO të dy vendeve të NATO në kulmin e një lufte të nxehtë në kufijtë e Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjerë që shohin si yjet”, u shpreh Rama.

Edhe në një postim në Twitter përpara kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama shprehu zhgënjimin dhe e konsideron turp për Europën veton bullgare.

“Është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari. Sa turp për Europën çështja bullgare. Në mes të një lufte shumë të nxehtë në ‘pjesën e pasme të oborrit’ të Europës, një vend i NATO-s mban peng dy vende të tjera të NATO nën vëzhgimin e 26 vendeve të BE-së që qëndrojnë të qetë në një shfaqje të frikshme impotence”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama.