RajoniTop Lajme

Rama: Ballkani i Hapur është burrë, Evropa e bashkuar është nusja! Do ta bëjmë dasmën kur ata të jenë gati

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalimin e tij në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër ka drejtuar një sërë kritikash drejt Bashkimit Evropian, përcjell TV21. Rama thotë se Shqipëria nuk përgatitet më për hapjen e negociatave për anëtarësim.“Dy fjalë për Bashkimin Evropian dhe për këtë dasmën e radhës, them dasmë pasi saher afrohet Këshilli Evropian është sikur përgatitemi për dasmë, e kam thënë edhe më përpara, Shqipëria nuk përgatitet më për atë dasmë. Nëse ndodh dasma , do të shkojmë me rrobat e rastit, nuk do të vishemi e zbukurohemi”, tha mes tjerash Rama.

Rama theksoi se vendet e rajonit duhet të bëjnë ndryshime, në mënyrë që kur Evropa të jetë e gatshme t’i pranojë vendet e Ballkanit Perëndimorë, reformat veçmë të jenë të realizuara.“Në këtë rast, Ballkani i Hapur është burrë, Europa e bashkuar është nusja, kjo është keq për ne, sepse do të ishte më mirë që ne të jemi nusja, do të na merrnin më shpejtë, duke qenë burri, me gjithë këto probleme dhe historira…është problem i madh. Por ne e kemi të qartë rrugën tonë, do ta ndërtojmë Evropën këtu, do të ndërtojmë këtu sistemet tona të funksionimit, shtetit, ekonomisë, pastaj kur ata do të duan ta bëjnë dasmën, ne jemi gati. Prandaj ju them miqve të Maqedonisë së Veriut, mos e merrni me kaq stres këtë punën e dasmës, se na futët edhe ne stresin sa herë vijmë këtu iu shohim të mërzitur se prapë nuk do iu marri njeri. Nuk iu marrin, ka dalë Bullgaria”, tha mes tjerash Rama.