RajoniTop Lajme

Rama: Heqim plotësisht tarifat doganore me Kosovën

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të diel se qeveria shqiptare ka vendosur të heqë tarifat doganore me Kosovën. Përjashtim bën vetëm ajo e skanimit. Kryeministri theksoi se nuk ka kuptim që tarifat doganore të hiqen me vendet e tjera të Ballkanit të Hapur dhe të mos hiqen me Kosovën.

“Ne kemi bërë edhe një plan, që do ta vëmë tani në lëvizje, që do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale, edhe me qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë. Ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar, por ne do ta bëjmë, do ta heqim. Sepse nuk ka kuptim t’i heqim me Ballkanin e Hapur dhe të mos i heqim me Kosovën. Kështu që do t’i heqim tarifat, për gjithçka do të vijë nga Kosova. Përjashto vetëm atë të skanimit që atë s’kemi çfarë i bëjmë sepse ajo është trashëguar dhe nuk lëviz, por gjithë pjesën tjetër nuk do të ketë më tarifa, për të gjithë ata që do të eksportojnë nga Kosova në Shqipëri”.

Rama tha se Shqipëria do t’i heqë këto tarifa edhe nëse qeveria e Kosovës do të kërkojë më shumë kohë për ta studiuar.

“Anasjelltas duheh ta bëjë qeveria e Kosovës dhe ne duam të bëjmë bilaterale, por edhe nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi. Nuk duam që ta kemi të hapur me të tjerët në Ballkanin e Hapur dhe të mos ta kemi me Kosovën. Është pa kuptim”.

Deklaratat, kryeministri Rama i bëri gjatë një inspektimi në sipërmarrjen furnizuese ndërkombëtare dhe prodhuesen më të madhe në rajon të miellit dhe grurit me cilësinë më të lartë, në Kosovë. Kreu i qeverisë shqiptare udhëtoi sot drejt Kosovës, ku nesër do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, në Prishtinë./tvklan.al