Shqipëri, hapet edicioni i parë i panairit të industrisë së automjeteve

Shpërndaje

Në Shqipëri është hapur edicioni i parë i panairit të industrisë së automjeteve (Automotive Fair Albania), i cili do të qëndrojë i hapur për disa ditë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së panairit në ambientet e “Expocity” në Tiranë ishte edhe kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij iu bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë panairin, pasi sipas tij “ky aktivitet ka një profil shumë të veçantë”.

“Është një panair shumë i veçantë, i pari i këtij lloji në vendin tonë, ku ekspozohen gjëra shumë tërheqëse, por ku gjen hapësirë dhe një industri e cila po rritet dhe tek e cila ne besojmë dhe duam të shtyjmë edhe më shumë në të ardhmen e afërt, në mënyrë që të krijojmë edhe më shumë hapësira dhe vende pune cilësore”, tha Rama.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe ministra, zyrtarë të tjera, si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit nga rajoni dhe më gjerë.

Panairi i cili mbahet në datat 17-19 qershor organizohet nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në Qeverinë e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë.

Në panair ekspozojnë produktet e tyre dhjetëra pjesëmarrës, të cilët janë prodhues pjesësh automotive, koncesionarë të mjeteve elektrike, sipërmarrës të rinj, prodhues aksesorësh, të lidhura me këtë sektor, duke krijuar sipas organizatorëve “një mundësi unike për shkëmbim eksperiencash, bashkëpunime të reja, si dhe një eksperiencë ndërkombëtarizimi”.

Në kuadër të panairit do të organizohen edhe aktivitete të ndryshme argëtuese, promovimi dhe ekspozim i mjeteve historike “Retro”.

Gjatë ditëve të panairit do të organizohen edhe takime që sipas organizatorëve do të shërbejnë si urë ndërlidhëse për mundësi të reja investimi në industrinë e automobilizmit.