Familja nga Kosova me kallëzim penal kundër spitalit “Zhan Mitrev”

Shpërndaje

“Djalin e dërgova në spitalin ‘Zhan Mitrev’, në tetor të vitit të kaluar, në këmbë të veta. Aspak në gjendje kritike. Dhe, u desh ta marr në arkivol”.

Kështu nis rrëfimin për Radion Evropa e Lirë Sanija Gjakova, një grua nga Prishtina, e cila është në mesin e së paku tetë familjeve të tjera që kanë ngritur kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, “Zhan Mitrev”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas vdekjes së të afërmve të tyre.

Djali i Sanijas, Edoni, 43 vjeç, ka vdekur në dhjetor të vitit të kaluar, pas, siç thotë e ëma, një trajtimi prej rreth dy muajsh në “Zhan Mitrev”.

Ky spital ka përbërë tituj lajmesh këtë javë, pasi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetime kundër tij, nën dyshimet për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve që kanë vdekur, përfshirë disa të sëmurë me sëmundjen COVID-19.

Hetimet kanë nisur pasi rrjeti i gazetarisë hulumtuese, IRL, ka transmetuar më 18 korrik një emision me titull “Gjaku i papastër”.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar, i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti.

Ky trajtim, sipas IRL-së, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

“Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë gazetarja Sashka Cvetkovska, pjesë e grupit hulumtues.

Në reagimin e parë, spitali i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato janë “të fabrikuara” për të krijuar “një imazh të rremë”.

Nga IRL-ja kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se rasti i Edon Gjakovës nga Kosova është përfshirë në raportin e tyre hulumtues “Gjaku i papastër”.

Edoni është infektuar me baktere, thotë e ëma
Nëna e Edonit, Sanija, thotë se djali i saj ka bërë kontrolle të rregullta vjetore në spitalin “Zhan Mitrev”, pasi, 13 vjet më herët, ka pësuar arrest kardiak.

Në tetor të vitit të kaluar, kujton ajo, Edoni ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin në Shkup, për shkak të disa shqetësimeve në bark.

Kanë kaluar disa ditë derisa u është nënshtruar kontrolleve dhe trajtimeve të ndryshme, të cilat, siç thotë ajo, i ka vetëfinancuar me mijëra euro.

“Pas laparoskopisë, Edonit ka filluar t’i përkeqësohet gjendja. Unë e pyeta doktoreshën se përse kollitet… Më tha se qëndron i shtrirë…”, thotë Sanija.

Këtë kontroll mjekësor, Edoni e ka kryer në mes të nëntorit, sipas nënës së tij. Mjekët, tregon ajo, i kanë thënë se dyshojnë se pacienti ka “ndezje të zorrës së trashë”.

Gjendja e tij ka vazhduar të rëndohet dhe, më 13 dhjetor, pas konfirmimit të marrë nga familja, mjekët në “Zhan Mitrev” kanë vendosur ta trajtojnë Edonin me filtrim gjaku – pas të cilit trajtim Edoni ka vdekur.

Nëna e tij dyshon se ai është infektuar me baktere vdekjeprurëse, që, siç thotë, ka dëgjuar se kanë qarkulluar në spital në atë kohë.

Ajo thotë se dyshimet i janë rritur edhe më shumë kur në fletëlëshimin e spitalit, pas vdekjes së Edonit, ka parë të ketë shkruar se ky institucion “e ka trajtuar mirë të ndjerin dhe familja e tij nuk do ta padisë për asgjë”.

Pas këmbënguljes së familjes, thotë Sanija, spitali e ka hequr këtë fjali nga raporti.

Në prill të këtij viti, familja Gjakova, përmes avokatit nga Shkupi, Asmir Alispahiq, ka ngritur kallëzim penal kundër punonjësve të spitalit “Zhan Mitrev” për trajtim joadekuat të Edonit.

“Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore [gjatë trajtimit të Edonit]”, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati Alispahiq, pa ofruar shumë detaje.

“Autoritetet e spitalit e kanë hartuar dokumentacionin mjekësor në atë mënyrë që palët e dëmtuara të mos kenë mundësi të informohen për arsyen që ka çuar te vdekja e pacientit”, thotë Alispahiq dhe shton se për këtë rast, ka informuar edhe rrjetin hulumtues, IRL.

Pas transmetimit të hulumtimit të këtij rrjeti, kanë dalë edhe qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut që kanë paralajmëruar hapa ligjorë kundër spitalit “Zhan Mitrev”.

“Mjekët më jepnin informacione kundërthënëse”
Një ndër ta është Valentin Allçev, 43 vjeç, nga qyteti i Velesit, nëna e të cilit, 72 vjeçe, ka vdekur në spitalin “Zhan Mitrev”, në janar të këtij viti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjatë qëndrimit disaditor të nënës së tij në spital, është përballur me informacione kundërthënëse nga vetë mjekët.

“Mjekët në telefon më thoshin një gjë dhe, kur shkoja në vizitë, më thoshin diçka tjetër”.

“Ua kërkova rezultatet e gjakut, por nuk m’i dhanë. Një mjek më tha se nënës i është rritur njësia e leukociteve… Mjekja tjetër më tha se nëna ka bakter në gjak”. Më shumë mund të lexoni në REL.