Presidenti turk mbërrin në Teheran për të takuar homologët e tij iranian dhe rus

Shpërndaje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbërritur në Teheran për të zhvilluar një vizitë zyrtare më 18 dhe 19 korrik me ftesë të homologut të tij iranian, Ebrahim Raisi, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenca turke njoftoi se Erdoğan dhe Raisi do të bashkë-kryesojnë takimin e shtatë të Këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë Türkiye-Iran, që do të mbahet nesër në Teheran.

“Të gjithë aspektet e marrëdhënieve Türkiye-Iran dhe hapat e mundshëm që do të rrisin bashkëpunimin dypalësh do të diskutohen gjatë takimit të këshillit, që do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave përkatës”, thuhet në njoftim.

Përveç marrëdhënieve dypalëshe, thuhet në njoftim, do të diskutohen gjithashtu edhe çështjet rajonale dhe globale.

Në të njëjtën ditë, theksohet më tej, presidenti Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të marrin pjesë në takimin e shtatë trepalësh në formatin e Astanas që do të organizohet nga presidenti iranian.

Në agjendën e samitit do të shtohet edhe zhvillimet e fundit në Siri, lufta kundër grupeve terroriste, veçanërisht kundër YPG/PKK-së që përbëjnë kërcënim për sigurinë globale, si dhe përpjekjet që synojnë një zgjidhje politike, situatën humanitare dhe kthimin vullnetar të sirianëve në shtëpitë e tyre.

Presidenti turk do të zhvillojë edhe takim dypalësh me presidentin rus në margjinat e samitit.

Bisedimet e Astanas për paqen në Siri u nisën në vitin 2017 me iniciativën e këtyre tre vendeve. Takimet e saj gjithashtu kontribuojnë në avancimin e procesit diplomatik të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB) në Gjenevë.

Siria është shkatërruar nga lufta civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit goditi protestuesit pro-demokratik me një mizori të paparashikuar.