Prokuroria thotë se po heton vdekjen e kosovarit në spitalin privat “Zhan Mitrev”

Shpërndaje

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut bën të ditur se hetimet për rastin që ka ngritur familja Gjakova nga Kosova kundër spitalit privat në Shkup “Zhan Mitrev”, janë në vazhdim e sipër.

Në prill të këtij viti, familja Gjakova ka ngritur kallëzim penal kundër spitalit në fjalë të kardiologjisë dhe stafit të tij mjekësor për, siç është thënë, trajtim joadekuat të djalit të saj, Edon Gjakova.

Sipas familjarëve, Edoni ka vdekur në spitalin “Zhan Mitrev” në dhjetor të vitit të kaluar, si pasojë e helmimit të gjakut me një bakter vdekjeprurës. Në dokumentacionin e lëshuar nga spitali pas vdekjes së tij, megjithatë, nuk shkruan se ai ka qenë i infektuar me ndonjë bakter.

I shtruar fillimisht për shkak të disa shqetësimeve në bark, Edoni është trajtuar në “Zhan Mitrev” për rreth dy muaj, sipas familjes.

Pas analizave të bëra, mjekët kanë thënë se dyshojnë se pacienti ka pasur “ndezje të zorrës së trashë”. Si pasojë e rëndimit të gjendjes, Edoni i është nënshtruar trajtimit me filtrim gjaku, pas të cilit edhe ka vdekur.

Familjarët kanë shprehur dyshime se ai është infektuar me baktere vdekjeprurëse, që, siç kanë thënë, kanë dëgjuar se kanë qarkulluar në spital në atë kohë.

Nga spitali “Zhan Mitrev” kanë thënë se nuk i komentojnë rastet individuale, porse janë të hapur për bashkëpunim me autoritetet.

Në pyetjen e REL-it se çfarë ka ndërmarrë Prokuroria për të zbardhur rastin e familjes Gjakova, nga ky institucion thonë se “janë duke verifikuar pretendimet, të cilat janë paraqitur në kallëzimin penal”.

“Sa i përket kallëzimit penal, për të cilin ju tregoni interes, ai është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup në muajin prill dhe i është caktuar prokurorit publik kompetent. Ai është duke vepruar dhe ka marrë përsipër verifikimin e pretendimeve në raport”, thonë nga Prokuroria, por pa dhënë detaje të tjera.

Avokati: Askush nuk është ftuar për dëshmi

Avokati i angazhuar nga familja Gjakova, Asmir Alispahiq, thotë se as ai, as ndonjë pjesëtar i familjes në fjalë nuk është ftuar për dëshmi në Prokurori.

“Bëhet fjalë për një vëllim të madh të dokumenteve spitalore që i kemi deponuar, rreth indiceve se është kryer vepër penale gjatë mjekimit joadekuat tashmë të të ndjerit Edon Gjakova në spitalin privat ‘Zhan Mitrev’… Besoj se këto pretendime do të vërtetohen gjatë procedurës juridike nga Prokuroria dhe më pas nga gjykata”, thotë Alispahiq.

Qebir Avziu, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, i cili ka punuar në dikasterin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, thotë se, në bazë të ligjit, periudha e hetimeve në prokurori zgjat varësisht veprës penale.

“Nëse vepra penale është e rëndë, për të cilën parashihen edhe disa vite burg, atëherë hetimet mund të zgjasin një vit e më shumë”, thotë ai.

“[Në rastin Gjakova], arsyeja që s’janë thirrur as avokati, as familjarët [në Prokurori] besoj se ka të bëjë me vazhdimin e veprimeve hetimore, për të siguruar provat e nevojshme, që procedura të jetë efikase”, thotë Avziu.

Hulumtimi i IRL-së, shkak i hetimeve

Hulumtimi i rrjetit IRL nga Maqedonia e Veriut ngre dyshime për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve në “Zhan Mitrev”, që kanë përfunduar me fatalitet.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar, i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti.

Ky trajtim, sipas IRL-së, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

Hulumtimi, i publikuar më 18 korrik, është bërë pastaj shkas që Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut të nisë hetime kundër spitalit “Zhan Mitrev”.

Spitali i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato janë “të fabrikuara” për të krijuar “një imazh të rremë”.

Familja Gjakova është në mesin e së paku tetë familjeve të tjera që kanë ngritur kallëzime penale kundër spitalit “Zhan Mitrev”, për arsye të ngjashme.

IRL ka publikuar edhe një hulumtim tjetër në fundjavën e kaluar, i cili pretendon se “spitali ‘Zhan Mitrev’ i ka faturuar dyfish pacientët”.

Sashka Cvetkoska, gazetare e rrjetit IRL, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas publikimit të hulumtimeve, qindra qytetarë janë paraqitur në IRL me ankesa ndaj spitalit “Zhan Mitrev”, por edhe ndaj spitaleve të tjera private dhe atyre të shtetit në Maqedoninë e Veriut.