Rama: Të rishikohet përfshirja e Kosovës në partneritetin për paqen

Shpërndaje

Në takimin e sotëm me kryeministrin Edi Rama, Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg, ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen ka treguar për Ukrainën, për ndihmat që ajo ka dërguar dhe kontributin për sigurinë e përbashkët.

Nga ana tjetër, Rama ka folur gjithashtu mbi aprovimin e Shqipërisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

“Është kënaqësi dhe nder që kthehem këtu dhe që kam mundësi të ndaj me ju opinione pas Samitit të Madritit që ishte moment historik në përgjigje ndaj rreziqeve të sigurisë evropiane. Është me rëndësi që ne të vijojmë bashkëbisedimin përkundrejt situatës dhe detyrimet që kemi në Ballkanin Perëndimor duke parandaluar çdo përshkallëzim dhe ndikim të keq të kthehet në problem për rajonin tonë. Ne si vend aleat dhe kandidat për BE-në do të luajmë rolin tonë në mbështetje të paqes e të stabilitetit dhe koncepti i ri thekson rolin e Ballkanit për NATO-n”, ka deklaruar Rama.

“Unë dua të theksoj nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqen edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë se ky është një mekanizëm konsensual. Unë mendoj se ky duhet të konsiderohet dhe e vlerësoj disponibilitetin tuaj për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës tonë për të vënë në funksion një bazë detare të teknologjisë së fundit, që mund të ndërtojmë duke pasur në konsideratë vështirësitë që po kalon bota. Dhe është gjithnjë e dobishme të kthehesh këtu me energji të plota dhe të vazhdosh t’i shërbesh kësaj aleance të shenjtë”, ka shtuar kryeministri.

Rama ka thënë se qëndrojnë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe është e padiskutueshme mbështetja për integritetin territorial të saj.

“Është e rëndësishme të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në probleme për rajonin tonë. Ne do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional në mbështetje të paqes”, ka thënë ai.

Rama ka konfirmuar planin e aleancës ushtarake të NATO-s për të ndërtuar një bazë ushtarake detare në Portin e Durrësit.

Gjatë konferencës me Stoltenberg, Rama është shprehur se kjo bazë detare do të ndërtohet me teknologjitë më të fundit duke kontribuar në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës./oranews