SHFK” Pashko Vasa”, së bashku me Komunën e Zhelinës, një arenë e mbyllur dhe makineri e së keqes!

Shpërndaje

Nga Mehdi Memeti

Tragjedia e arsimtarëve nuk fillon atëherë kur shfaqen anomalitë vetëm ndaj dukurive apo fenomeneve negative arsimore nëpër shkolla, por diskriminimi i arsimtarëve, fillon edhe pas pensionimit!
Pse kaq heshtjerëndë ndaj këtyre dukurive? Pse heshtin: shkollat, komunat, Qeveria, sigurisht heshtin nga se mungon drejtësia…!?

Arsimtarët për hirë të së vërtetës; janë të ngulfatur në shoqërinë tonë, edhe atëherë kur pensionohen, nuk e kanë shpirtin e qetë, sidomos arsimtarët që i takojnë komunës së Zhelinës.

Gjithmonë nervoz, të stresuar, me fyerje dinjiteti, të nëpërkëmbur, të nënçmuar, të përulur, zemërvrarë etj. Ndër vite mbi 60-70-të arsimtarë të pensionuar ende sot e kësaj dite s’i kanë marrë dy paga mesatare në nivel republikan që u takojnë me ligj pas pensionimit. Nuk e kam të qartë se si thirren komunat në atë se janë themelues të shkollave, në anën tjetër nuk janë në gjendje ta zbatojnë ligjin dhe t’ua lëshojnë shkollave mjetet për dy paga mesatare në nivel republikan, që u takojnë arsimtarëve, nga bllok donacionet marrë nga qeveria. Mjete të dedikuara apostafat për këtë qëllim.

Komunat, pasi të lajmërohen nga ana e drejtorisë së shkollës, duhet ato mjete t`ua dërgojnë shkollave në konto të veçantë për këtë qëllim, e jo t`u arsyetohen arsimtarëve drejtorët e shkollave se komuna nuk ka mjete. Vendimet për ndërprerje të mardhënjes së punës, vendimin për pension, e jep shkolla vetëm në gjuhën maqedone, ndërsa vendim për dy rroga mesatare nuk jep fare!

Tregojeni veten, ja ku e keni një copē pushteti lokal. Nuk është e udhēs të kërkoni vetëm zgjedhje të parakohshme parlamentare, nga ana tjetër, siç po duket nuk jeni në gjendje ta udhëheqni atë komunale e lëre më …!?

-Ndër vite, arsimtarëve, respektivisht të punësuarve të këtyre shkollave në nivel të komunës së Zhelinës nuk u paguhet rruga shtesë që nga viti 2008 e deri më sot.

-Si opozitë, votoni ligjin për mardhënie pune, që arsimtarët të pensionohen me 30 qershor e jo më 31 gusht. Kjo është në kundërshtim me statutin e shkollës, kalendarin për pushimin e të punësuarve në arsim, që e ka sjellë vet MASHI, vetëm e vetëm t`u merren dy rroga arsimtarëve korrik-gusht, dy muaj të plotë, ndaj nënkupton se u ka arrdhë mirë edhe juve si parti dhe si komunë opozitare.

Vendimet sillen nga Këshilli Komunal për kulturë, ende sot e kësaj dite të parealizuara, kuptohet jo për të gjithë. Një ndër vendimet e parealizuara është edhe vendimi im, që me siguri pritni të bëhet vepër e vjetëruar. Për disa, veproni si nënë e për disa si njerkë, disave u ndahen mjete si autorë, disave jo, disave u jepen dy rroga mesatare para pensionimit, për shkak të votave, disave jo, disave u jepen nga një rrogë, disave nuk u jepet fare…

Ju qoftë për nderë si shkollës ashtu edhe komunës!

Vërtet, nga kjo vim në përfundim se: duhet apo nuk duhet të ekzistojnë komunat e vogla rurale në veçanti siç është kjo e Zhelinës, po pse jo edhe shumë të tjera si kjo!

Po e ngulfatin shoqërinë në çdo sferë të jetës, në veçanti arsimin.

Natyrisht, kjo është një arenë e mbyllur, një makineri e së keqes, që s`ka fund, si nga shkolla ashtu edhe nga komuna, që s’mund të shkatërrohet aq lehtë. Topi hudhet herë andej e herë këtej, në kuriz dhe dëm të arsimtrëve.

Të vetëdishëm, se faji kryesor qëndron te pushteti qendror, por megjithatë nuk mund të amnestoheni edhe Ju, si pushtet lokal,respektivisht si opozitë!?

Arsimtarët kurrë s’kanë heshtur, dhe nuk kanë hequr dorë nga idealet e tyre, rreth edukimit dhe arsimit të gjeneratave të reja. Mirëpo, çfarë ndodh me arsimtarët? Vërtetë e kemi vështirë ta kuptojmë heshtjen e tyre, ndoshta vallë dyshojnë në prodhimin e tyre!

Qeveria, komunat, shkollat duhet të luftojnë më tepër në zvogëlimin e padrejtësive që u krijon kapitalizmi ekonomik, kjo do të thotë luftë kundër çdo forme të nënshtrimit dhe të shfrytëzimit, sidomos luftë kundër diskriminimit, nepotizmit, lokalizmit etj.

Meqë Qeveria nuk çan kokën për këto probleme të punonjësve arsimor që shkojnë në pension, atëherë vallë “Lëvizja juaj Besa”, që udhëheqë me komunën e Zhelinës çka po bën, diçka duhet të lëviz në këtë drejtim apo jo?

Si parti, që dëshironi të fitoni pushtet politik demokratik dhe nga ana tjetër, veproni sipas tekeve tuaja, pa përgjegjësi sociale, pa sundim të ligjit, pa zhvillim të drejtave dhe i lirive të personave, të grupeve dhe të shtresave të lënë pas dore dhe të shkelur. Po i theksoj këto vlera, të keqpërdorura jo vetëm nga pushteti (Qeveria) por, dhe nga opozita politike, gjegjësisht siç është pushteti lokal, në rastin konkret siç është Komuna e Zhelinës.

Përfundojmë, duke apeluar për solidaritet, të tregoni mirëkuptim, moral e drejtësi, por, jo lëmosh!

Po pra, ne të pensionuarit e SHFK”Pashko Vasa”-të komunës së Zhelinës, do t’i ndjekim rrugët institucionale përmes drejtësisë. Jo rastësisht shkollat e kësaj komune, pse jo edhe vet komuna funksionojnë me xhirollogari të bllokuara!

”E drejta vonon por nuk harron”!

23.07.2022