ASH përjashton bashkëpunimin me BDI në Tetovë, Osmani: Do të jemi disi mbështetës të kryetarit aktual

Shpërndaje

Abdulla Osmani, bartës i listës së ASH-së për këshilltarë në komunën e Tetovës në “Click 21” përjashtoi mundësinë për bashkëpunim të ardhshëm me BDI-në në komunën e Tetovës. Osmani mes tjerash tha se do të jenë mbështetës të kryetarit aktual Bilall Kasami.

“Assesi ne nuk do të ulemi me ata të cilët e bllokuan komunën e Tetovës për 8 vite dhe që kanë për qëllim ta bllokojnë edhe për 3,5 vite për arsye, kalkulime partiake. Ne kësaj radhe do të jemi disi mbështetës të kryetarit aktual”, tha mes tjerash Abdulla Osmani, bartës i listës së ASH-së për këshilltar në komunën e Tetovës.

Blerian Imeri nga Aleanca për Shqiptarët, kandidat për këshilltar në komunën e Tetovës, në “Click 21” tha se do të inicojnë nismën që kompanitë e basteve dhe kazinove të kenë tatime më të larta për publicitet. Sipas tij, kjo do të ulte numrin e vizitave në këto lokale.

“Ne do të iniciojmë që reklama e tyre nëpër billborde të jetë dyfishi i një reklame të një sektori privat, do të rrisim tatimin për to dhe të ndalojmë publicitetin kaq të madh të kazinove. Kazinotë nuk janë vetëm problem komunal, por edhe shtetëror”, tha mes tjerash Imeri.

Semira Ibraimi, kandidate e Aleancës për Shqiptarët për këshilltare në komunën e Tetovës në “Click 21” tha se si parti e kanë në plan që edhe fshatrave dhe malësisë së Tetovës t’u sigurojnë çerdhe për fëmijë.

“Dihet se Tetova ka problem me çerdhet, normal edhe me shkollat fillore. Një ndër ato probleme është që edhe malësia e Tetovës nuk ka çerdhe. Ne do ta realizojmë këtë plan që të kenë edhe malësia dhe fshatrat çerdhe, që të ua mundësojmë nënave që të lënë fëmijët e tyre në çerdhe dhe edhe ata të punësohen”, deklaroi mes tjerash Ibraimi.