ASH: Tetova nuk ka çerdhe të mjaftueshme, fëmijët tetovarë diskriminohen

Shpërndaje

Kandidatët e Aleancës për Shqiptarët që garojnë për Këshillin Komunal të Tetovës, kanë ngritur sot shqetësimin për numrin e vogël të çerdheve në Tetovë. Kandidatja Arlinda Aliti në një konferencë për media tha se fëmijët tetovarë diskriminohen që në hapat e parë, ndërsa nënat nuk mund të punojnë.

“Komuna e Tetovës është ndër komunat me numër më të vogël të çerdheve, me kapacitet të pamjaftueshëm për kujdesin e fëmijëve në moshën parashkollore. Kjo gjendje paraqet problem të madh jo vetëm për fëmijët të cilëve u mohohet një e drejtë që nga hapat e parë të jetës, por edhe për prindërit dhe familjet tetovare. Për pasojë, shumë gra, nëna të reja nuk mund të punësohen pasi që duhet vetë të kujdesen për fëmijët, e të mos flasim për zhvillimin e tyre në karrierë”, tha Arlinda Aliti, kandidate e ASh për këshilltare.

Ky problem sipas kandidatëve të ASH-së, është më i theksuar në zonën e malësisë së Tetovës.

“Më të anashkaluara në këtë sferë janë zonat periferike, si dhe fshatrat e malësisë së Tetovës të cilat janë anashkaluar krejtësisht, si nga pushteti lokal ashtu dhe nga pushteti qendror”, theksoi Arlinda Aliti, kandidate e Ash për këshilltare.

Nga ASH thanë se në prioritetet e tyre është hapja e çerdheve në të gjitha zonat e Tetovës si dhe rritja e kapaciteteve të çerdheve aktuale.