Borrell: Sot nuk arritëm marrëveshje, por negociatat do të vazhdojnë

Shpërndaje

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe gjatë rundit të ri të mbajtur më 18 gusht.

Por, ai tha se palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim, pasi siç u shpreh “ende ka kohë” dhe se BE-ja “nuk heq dorë” nga insistimi që dy shtetet të arrijnë kompromis.

Borrell tha se takimet e sotme në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishin “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”.

Diskutimet në Bruksel vijnë tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Kurti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, gjatë 18 gushtit zhvilluan dy takime.

Po ashtu, para takimit të parë trilateral dhe pas tij, BE-ja ka mbajtur takime të ndara me delegacionin e Kosovës dhe Serbisë.

As Kurti dhe as Vuçiq ende nuk i janë drejtuar mediave për takimet e sotme në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, u tha gazetarëve se Vuçiq do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut të premten, më 19 gusht.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

Kjo ishte hera e parë që brenda një dite u mbajtën dy takime trepalëshe në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Rundi i parë i takimit trepalësh u mbajt pak pas orës 10:30, dhe ky rund u pasua me takime të ndara të delegacioneve me zyrtarët e BE-së.

Është e pasigurt nëse Kurti dhe Vuçiq do të kthehen në ndërtesën e BE-së për të vazhduar bisedimet. Sipas burimeve jozyrtare, ky opsion nuk përjashtohet dhe pala evropiane po vazhdon përpjekjet.

Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.