BotaTop Lajme

Dimër i vështirë? Komisioni Europian prezanton masat e reja, Von der Leyen: Ulni ngrohjen me 1°C dhe do të kursejmë 7% energji

Shpërndaje

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka prezantuar sot një pjesë të masave të propozuara nga Komisioni për vendet anëtare të BE-së.

Ky dimër parashikohet të jetë i vështirë, duke pasur parasysh pasojat e luftës në Ukrainë dhe faktin që Moska po përdor gazin si mjet shantazhi.

“Nëse qytetarët e Bashkimit Evropian ulin ngrohjen e tyre në dimër me 1 gradë Celsius, atëherë kjo do të ndihmojë Bashkimin të kursejë rreth 7% në përdorimin e energjisë për një vit”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.

Ajo shtoi se rezultate mbresëlënëse në kursimin e energjisë jep edhe rritja e vogël e temperaturës gjatë ftohjes së dhomave në muajt e verës, duke theksuar se në të gjithë BE-në aplikohen mënyra inteligjente të kursimit të energjisë.

Von der Leyen madje iu referua masave të kursimit që Komisioni po ndjek në ndërtesat e veta.

“Për shembull, ne mbyllim ngrohjen dhe ftohjen në shumicën e ndërtesave 1 orë më herët se më parë, duke kursyer 3% të përdorimit vjetor të energjisë. Po mbyllim edhe disa ndërtesa për verën dhe po lehtësojmë punën në distancë”, deklaroi ajo.

Kujtojmë se në fund të korrikut, Komisioni Evropian propozoi objektivin për uljen e kërkesës për gaz me 15% nga vendet e BE-së deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm.