Erdogan priti në takim liderët gjatë Lojërave të 5-ta të Solidaritetit Islam

Shpërndaje

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan priti dje në takim liderët dhe ministrat vendeve të huaja të pranishëm në provincën turke Konya për ceremoninë e hapjes së Lojërave të 5-ta të Solidaritetit Islam, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i shpalli të hapura lojërat, të cilat do të vazhdojnë deri më 18 gusht me pjesëmarrjen e më shumë se 4.000 sportistëve nga 56 vende të Organizatës së Bashkëpunimit Islam.

Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e hapjes së bashku me homologët e tij nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev dhe Republikës Turke të Qipros Veriore, Ersin Tatar, kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin palestinez Mohammed Shtayyeh, kryeministrin algjerian Ayman Benabderrahmane dhe ministrin e sportit të Arabisë Saudite, Princ Abdulaziz bin Turki Al-Faisal Al Saud, i cili po ashtu shërben si president i Federatës së Sporteve të Solidaritetit Islam.

Në margjinat e ngjarjes, presidenti turk zhvilloi takime të veçanta me Aliyevin, Al-Faisalin, Benabderrahmanen dhe Shtayyehun. Këto takime u zhvilluan me dyer të mbyllura.

Udhëheqësi turk shtroi gjithashtu një darkë për nder të krerëve të shteteve dhe qeverive që morën pjesë në ceremoni.

“Me rastin e Lojërave të 5-ta të Solidaritetit Islam, ju uroj mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve nga anët e ndryshme të botës islame që vizitojnë vendin tonë dhe i uroj suksese secilit prej sportistëve tanë. I ftoj të gjithë sportdashësit, veçanërisht të rinjtë tanë, në këtë ngjarje të bukur në Konya”, shkroi Erdoğan në Facebook.