Kurti për kërcënimin për luftë: Jemi vigjilentë, por jo të frikësuar

Shpërndaje

Kosova është e gatshme t’u qëndrojë sulmeve të mundshme prej Serbisë, pasi përkeqësimi i mosmarrëveshjeve me minoritetin serb mund të shpije në konflikt të armatosur, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në një intervistë për Reuters.

Tensionet janë ngritur para dhjetë ditësh, pasi Kosova vendosi që t’u jepet një afat i fundit serbëve në veri të vendit që të kthejnë tabelat e veturave nga ilegale në ato RKS. Situata u qetësua pasi Kurti, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, u pajtua ta shtyjë implementimin për 1 shtator, me kushtin që të hiqen barrikadat në rrugët drejt kufijve.

“Nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë që këto politika agresive të Beogradit të mund të kthehen në një sulm kundër Kosovës, në njërën apo tjetrën mënyrë. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, ka thënë ai, pak ditë pasi alarmoi për rreziqet për luftë.

Ai shtoi: “Nuk po them që do të na sulmojnë këtë javë apo tjetrën, por do të ishte tërësisht e paarsyeshme të përjashtohet mundësia e ngritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”.

Kurti ka akuzuar Rusinë, si aleatin kryesor të Serbisë, për nxitjen e tensioneve të reja në baza etnike.

“Presidenti rus, Vladimir Putin, është njeri i luftës dhe ai ka në interes shpërndarjen e luftës, sepse dëshiron ta normalizojë luftën”, ka thënë Kurti, duke aluduar në nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt./21Media