MaqedoniTop Lajme

Maqedoni, OEMVP kërkon ngrirje të çmimit të rrymës dhe heqje të TVSH-së

Shpërndaje

“Qeveria menjëherë të ndihmojë kompanitë përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike, ngrirjen e çmimit të energjisë elektrike sipas shembullit të vendeve fqinje, përshpejtimin e procedurave për instalimin e fotovoltaikëve dhe së fundi, rialokim të një pjesë të madhe, nëse jo të gjithë shumën e fondeve nga shpenzimet kapitale, për t’u investuar në burimet e rinovueshme të energjisë, me qëllim shfrytëzimin maksimal të të gjithë kapaciteteve shtetërore për prodhim të energjisë elektrike”.

Këtë e kërkon Oda Ekonomike e Maqedonisë-Veriperëndimore (OEMVP), prej ku thonë se sipas hulumtimit të tyre, për pjesën më të madhe të kompanive, gjegjësisht 65 për qind e anëtarësisë, të cilat tashmë kanë një infrastrukturë me efikasitet energjetik, shpenzimet e energjisë elektrike në vitin 2021 kanë qenë nga 1.3 për qind deri në 2.3 për qind e totalit të shpenzimeve mujore.

“Ndërsa këtë vit ato shpenzime janë rritur nga 2 deri në 6 herë. Faturat e muajit korrik tashmë arrijnë 7-10 për qind të shpenzimeve operative mujore. Nga ana tjetër, situata me kompanitë prodhuese është alarmante. Pa përjashtim, për të gjithë prodhuesit, shuma e shpenzimeve mujore të energjisë elektrike përfaqëson të paktën 25 për qind të kostove totale, ndërsa nga ana tjetër marzha e fitimit të tyre është më pak se 5 për qind”.

“Propozimet e lartpërmendura u janë dorëzuar institucioneve kompetente dhe janë shpjeguar në mënyrë të detajuar me qëllim implementimin e tyre në kohë sa më të shkurtër. Qeveria duhet të marrë urgjentisht masa për krizën energjetike, sepse ky problem vë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe mbijetesën e bizneseve në treg”, thonë nga OEMVP.