Nxënësit shqiptarë nga Maqedonia edhe këtë vit pa Abetaren e përbashkët!

Shpërndaje

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Shqipërisë Evis Kushi, përmes një lajmërimi në Facebook tha dje se abetarja e përbashkët unike do të jetë gati këtë shtator për klasat e para në Shqipëri dhe Kosovë.

Kurse fëmijët shqiptarë të klasës së parë nga Maqedonia edhe këtë vit nuk do mund të mësojnë me Abetaren e unifikuar kombëtare si bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri dhe në Kosovë, pasi Ministria e Arsimit nga ‘Severna’ nuk ka marrë pëlqimin nga qeveria e premierit Dhimo Kovaçi që nxënësit shqiptarë të klasës së parë të mësojnë me Abetaren e përbashkët.

Ky veprim moskokçarës ndaj Abetares së përbashkët i vë para përgjegjësisë faktorin politik shqiptar në qeverinë e koalicionit, si forca politike pa autoritet dhe pa peshë fare në vendimarrje, ku ato thjeshtë ndjekin politikën programore të premierit Dhimo Kovaçi dhe nuk guxojnë të ndërmarrin asnjë hap pa miratimin e qeverisë siç do ishte kërkesa për përdorimi i Abetares së përbashkët si pjesë e kulturës dhe e arsimimit të nxënësve shqiptarë në trojet e tyre etnike.

Përfaqësimi tri forcave politike shqiptare në qeverinë e koalicionit ka të bëjë vetëm me makutërinë e tyre për interesa të ngushta grupore dhe karrieriste, si qylaxhinj të çastit që aspak nuk mbrojnë e as nuk përfaqësojnë interesat kombëtare në qeverinë e koalicionit, por thjeshtë ato janë dekori dhe kozmetika e koalicionit të qëndisur me pakica në sytë e ndërkombëtarëve si ngjyrim shumëetnik i saj.

Shteti shqiptar prej shumë kohësh quan dhe i llogarit shqiptarët e ‘Severnës’ jo me emrin e duhur si shqiptarë etnik të trojeve të tyre, por i njeh dhe i trajton si ‘maqedonca’ saherë që i referohet individualisht apo si grup, duke vënë në pikëpyetje origjinën etnike të shqiptarëve këtej kufirit.
Pikërisht nga këtu, një shekull më parë në qytetin e Manastirit si një nga qendrat e veprimtarisë politike dhe kulturore shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare, u vunë themelet e alfabetit shqip!

Ndaj, zonja ministre Kushi dhe z.kryeministër Rama, mos u bëni palë me pushtetin e ‘Severnës’ në garën e etiketimit të nofkave denigruese ndaj shqiptarëve, saherë që i referoheni me termin ‘maqedonca’.
Shqiptarët e kësaj ane nuk janë bashkësi hibride dhe mbetje stramastikësh apo nomadë që flasin rastësisht gjuhën shqipe, sepse ata janë pjesë e pandashme e kodit gjenetik dhe e vazhdimsisë etnike në këto troje si shqiptarë që kanë të drejtë të mësojnë me Abetaren e unifikuar të një kombi!

Shkruan: Medai Shaholli