Porti i jahteve në Durrës, nënshkruhet marrëveshja për investimin dy miliardë dollarësh

Shpërndaje

Është nënshkruar të mërkurën marrëveshja mes dy kompanive që do të ndërtojnë portin e jahteve të Durrësit, investim ky prej dy miliardë dollarësh.

Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua mes “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, shkroi TCH.

“Ne do të krijojmë një gjë kaq të veçantë që kur njerëzit të vijnë, të mos duan të largohen kurrë”, premtoi Investitori, Muhammed El Alabbar.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Marina e Durrësit do të hapi rrugën për gjithë bregdetin shqiptar, jo vetëm për Durrësin.

“Kontrata do të jetë përgjigja më e mirë për të gjithë ata që kanë spekuluar e nuk kanë lënë gjë pa thënë për këtë projekt që është një nga projektet që do të ndryshojë jo Durrësin por Shqipërinë përgjithmonë. E tha zoti Alabbar, këtu nuk është e 12 mijë vendeve të reja të punës, vende cilësore. Këtu nuk është çështja e mbi 1000 jahteve që vijnë e që sjellin konsumatorë në Durrës, që do të ngrenë jashtëzakonisht shumë nivelin e konsumit, se kjo është ajo për të cilën ne kemi nevojë, që turizmi ynë të kalojë në një nivel tjetër”, është shprehur ai.

Marrëveshja do të kalojë në Parlament, ku duhet të votohet nga një shumicë e thjeshtë.

Postimi nga Rama:

🔴 LAJM SHUMË I MIRË
✍️ Pas thuajse tre vjet rrugëtimi me shumë hapa, duke kaluar përmes diskutimesh, studimesh, analizash, debatesh, bisedimesh teknike e negociatash jo të lehta, nënshkruajmë sot Memorandumin e Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës🤝
Një falenderim i veçantë për Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, pa bekimin e të cilit ky projekt nuk do të ishte i mundur🇦🇱🙏🇦🇪