Luksi i pushtetarëve të PDK-së, Prizreni harxhon mbi 15 mijë euro në dreka e darka (Dokument)

Shpërndaje

Gjithsej 15 mijë e 248 euro ka shpenzuar Qeverisja e PDK’së në Prizren për dreka zyrtare për vetëm gjashtë muaj gjatë këtij viti. Gazeta Insajderi, ka siguruar listën e shpenzimeve pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

Pritja për Klubin e Futbollit “Beshiktash” nga Turqia i kushtoi komunës së Prizrenit plot 1 mijë e 379 euro.

Ndërsa rreth 600 euro më shumë u shpenzuan për pritjen e ish-presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiç. Gjithsej 1 mijë e 813 euro.

Shumën prej 3 mijë eurove komuna ia dedikoi drekës zyrtare për “Shkollën Verore Ndërkombëtare 2022”, ndërsa 2 mijë euro u shpenzuan për drekën e Forumit të Bizneseve të Diasporës.

E për festat e muajit qershor, qeverisja e Partisë Demokratike të Kosovës harxhoi më shumë se 2 mijë e 300 euro.

Iftari në muajin e Ramazanit për përfaqësuesit e institucioneve kushtoi plot 2 mijë e 370 euro.

888 euro mëditje vetëm për dy muaj

Kryetari Shaqir Tolaj dhe nënkryetari i Prizrenit Kujtim Gashi, kanë marrë mëditje 888 euro vetëm për muajin maj dhe qershor.

Në dokumentet e siguruara nga Insajderi, shihet se kryetari Tolaj ka marrë 636 euro mëditje për dy muaj. Ai kishte udhëtuar dy herë në Gjermani dhe një herë në Francë.

Ndërsa, nënkryetari Gashi ka marrë 252 euro mëditje.

Ai kishte udhëtuar një herë në Gjermani dhe një herë në Durrës./GazetaInsajderi.org