Ziadin Sela me urim dhe porosi për nxënësit, prindërit dhe mësuesit
Kryetari i Aleanës për Shqiptarët, Ziadin Sela përmes një postimi ka uruar vitin shkollorë të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe mësuesve në vend.
Postimi nga Sela:
Sot nxënësit po rikthehen në bankat shkollore, në vatrat e diturisë, lumturisë dhe formimit të tyre edukativ e social. Disa ulen për herë të parë dhe tani po fillojnë të mësojnë shkronjat. Nga zemra ju uroj suksese në mësime dhe harmoni me shokët dhe shoqet e tyre të klasës.
Të nderuar prindër!
Po jetojmë në një kohë të krizës ekonomike, institucionale, por edhe sociale. Ky do të jetë një vit i rëndë për çdo familje e për çdo prind, andaj uroj që sa më lehtë dhe me sukses ta përballojmë të gjithë, duke shpresuar që të paktën fëmijët të mos i ndjejnë pasojat e mungesat gjatë procesit edukativo-arsimor dhe zhvillimit të tyre jetësor. Edhe ky vit shkollor fatkeqësisht po fillon me probleme e mangësi, në shumë objekte të vjetra shkollore, me kushte të vështira, me mungesë të librave, që vijnë si pasojë e papërgjegjësisë së atyre që kanë marë përgjegjësi për të udhëhequr këtë vend dhe arsimin në veçanti. Por, edhe për këtë na ngelet çdo prindi që të kujdesemi për t’ua zbutur vështirësitë fëmijëve dhe të mendojmë në të ardhmen se në dorë të kujt po e lëmë fatin e fëmijëve tanë.
Po jetojmë në një kohë edhe me krizë sociale, me shumë probleme dhe tragjedi ku fatkeqësisht pësojnë më të dashurit tanë. Me pak siguri, me shumë probleme dhe devijime, shkollat dhe vebdbanimet tona, fatkeqësisht nuk janë më aq të sigurta sa ishin dikur. Andaj këtu më së shumti na mbetet barra neve prindërve, që të kujdesemi për fëmijët tanë, por jo vetëm. Ne duhet të kujdesemi edhe për fëmijët e të tjerëve duke edukuar fëmijët tanë, duke i këshilluar dhe udhëzuar drejtë ata, duke i mbajtur larg dukurive devijante, duke u shpjeguar se ku shkojnë dhe si duhet të sillen me shokët dhe shoqet e klasës. Të punojmë pak më shumë me fëmijët tanë, që në fund të kemi më shumë suksese e lumturi, e të parandalojmë dhimbje e fatkeqësi. T’i mësojmë që t’i dëgjojnë mësueset e mësuesit, duke i këshilkuar se ata janë prindërit e tyre të dytë, të bashkëpunojmë e komunikojmë edhe ne me ata, të cilëve ua kemi besuar zhvillimin e më të dashurve tanë.
Të dashur mesues e mësuese!
Edhe për ju sot është një ditë gëzimi, duke patur parasyshë se për çdo mësues e mësuese, parimisht dashuria për fëmijët ka qenë motivi i parë për të hyrë në këtë profesion. Por, jemi të vetëdijshën se edhe ju ashtu si prindërit, po përballeni me shumë vështirësi e probleme. Nga njëra anë keni jetën tuaj private, familjet tuaja dhe problemet që ju rëndojnë në atë pjesë të jetës. Nga ana tjetër puna juaj aq e shenjtë, por aq pak e vlerësuar nga institucionet. Përballeni me shumë mungesa e vështirësi, në të njëjtën kohë me shumë përgjegjësi dhe sfida të përditshme. Të gjitha i kuptojmë, por si njerëz mbi të gjitha, edhe si prindër që jeni tanimë shumë prej jush, mos haroni fisnikërinë e shenjtërinë e profesionit tuaj. Të punojmë bashkërisht që t’ua lehtojmë vështirësitë tuaja, të përballojmë këto kohëra të vështira e të ndërtojmë bashkërisht gjenerata të shëndosha që do të na bëjnë krenarë të gjithëve. Të fokusohemi që fëmijët tanë e tuaj, që sot janë ulur para jush, të nxënë më të mirën e më të dobishmen, ndërsa bashkërisht të punojmë e luftojmë që këtë mund e sakrificë tuajën t’ua vlerësojmë ashtu siç meritoni. Mos harroni se prej sot ju jeni sytë tanë, jeni zëvendësuesit e çdo prindi, keni amanetin më të shenjtë, ndërsa të jeni të bindur se nga çdo prind, ju gëzoni respektin maksimal për punën tuaj.
Ju faleminderit për çdo shkronjë që ju mësoni fëmijëve e për çdo mund që bëni për më të dashurit tanë!
Urime, shëndet dhe suksese çdo nxënësi e nxënëse, punë të mbarë e të lehtë çdo mësuesi e mësuese, ndërsa çdo prindi uroj nga zemra që t’i realizohen dëshirat e ëndërrat për fëmijët e tyre!