RajoniTop Lajme

Parlamenti i Ukrainës nuk autorizoi vizitën e deputetit Honcharenko në Kosovë

Shpërndaje

Vizita e deputetit ukrainas në Kosovë dhe deklaratat e tij për njohjen e pavarësisë nga Ukraina, kanë nxitur reagime në Ukrainë.

Një zyrtar i lartë i Parlamentit të Ukrainës ka thënë për mediat vendase atje se deputeti Oleksiy Honcharenko nuk është autorizuar nga Parlamenti për vizitën në Kosovë dhe iniciativa ka qenë vetëm personale e tij.

“Vizita në Kosovë e deputetit të Partisë Popullore të Ukrainës, Oleksiy Honcharenko ka qenë iniciativë individuale e tij dhe private. Parlamentari i Ukrainës ose ndonjë organ tjetër shtetëror nuk e ka autorizuar askënd, e në veçanti deputetin Oleksiy për ta përfaqësuar qëndrimin zyrtar të Ukrainës në Kosovë ose në ndonjë shtet tjetër” thuhet në deklaratë.

Parlamenti i Ukrainës ka rikujtuar se qëndrimet zyrtare shtetërore për temat ndërkombëtare merren në kolegjium dhe nuk mund të përfaqësohen ndaras ose individualisht.

Edhe deputeti Goncharenko i cili qëndroi gjatë javës në Kosovë, e ka konfirmuar se vizita e tij ishte individuale si përfaqësues i popullit për tu solidarizuar me shtetin e Kosovës për shkak të reagimit ndaj luftës në Ukrainë.

Në intervistën për Prime Time me Xhemajl Rexhën, deputeti ukrainas, pati deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të vjen pas përfundimit të luftës.