Aksion në Leposaviq, konfiskohen pajisje për prodhim të kriptovalutave (Foto)

Shpërndaje

Një aksion anti-kontrabandë në fshatin Leshak të Leposaviqit ka përfunduar me konfiskimin e 93 kartelave grafike, tetë pajisjeve Antiminer, 17 pllaka elektronike që shërbejnë për prodhim të kriptovalutave e 280 litra pije alkoolike dhe 96 joalkoolike, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të shtunën.

Njoftimi i plotë:

Në zbatim të misionit për sundim të ligjit dhe luftës kundër kontrabandës, Njësitet kundër kontrabandës nga Dogana e Kosovës dhe Njësitet relevante nga Policia e Kosovës sot kanë zhvilluar aksion të përbashkët në Leshak të Komunës së Leposaviqit.

Me këtë rast, nga ky aksion, në një lokal afarist njësitet kanë konfiskuar si mallra të kontrabanduara 93 kartela grafike, 8 pajisje Antiminer, 17 pllaka elektronike që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave si dhe 280 litra pije alkoolike dhe 96 litra pije joalkoolike.

Po ashtu, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të përbashkët, është hasur edhe një automjet i dyshuar të cilit i janë konfiskuar produkte ushqimore që po i kontrabandonte nga Serbia.
Falënderoj Doganën dhe Policinë e Kosovës për suksesin e sotëm por edhe për vendosmërinë e tyre për të luftuar çdo fenomen që cënon rendin dhe ligjet e Republikës së Kosovës.