Humanisti Halil Kastrati shpallet “Qytetar Nderi” i Mitrovicës
Në ambientet e Muzeut të Qytetit sot është mbajtur ceremonia solemne në të cilën kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, zyrtarisht ia ka dorëzuar çelësin e qytetit dhe ka shpallur “Qytetar Nderi”, humanistin nga Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, z. Halil Kastratin.
Titulli “Qytetar Nderi” për hoxhën e nderuar, z. Halil Kastrati, është ndarë me propozim të kryetarit z. Bedri Hamza dhe me votë unanime të miratuar nga asambleja komunale, me motivacionin “Për kontribut të çmuar në ndihmë të familjeve në nevojë dhe përmirësimet infrastrukturore në territorin e Mitrovicës dhe më gjerë”.
Në këtë ceremoni solemne morën pjesë kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Vesa Broja, nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, kryetarë të Komunave, Skenderajt dhe Vushtrrisë, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, përfaqësues të komuniteteve fetare, asamblistë, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues nga shoqëria civile dhe pjesëmarrës të tjerë.
Fillimisht hapjen e bëri kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Vesa Broja, e cila tha se hoxhë Halili është shembulli më i mirë i shoqërisë tonë për kontributin ndaj atdheut dhe popullit të vet.
Lidhur me ndarjen e këtij titulli ajo ka falënderuar të gjithë anëtarët e asamblesë komunale të Mitrovicës të cilët unanimisht e kanë miratuar këtë pikë, falënderoi kryetarin z. Hamza për iniciativën e qëlluar, si dhe hoxhën Halil me bashkëpunëtorët e tij për mbështetjen e dhënë për popullin dhe vendin tonë.
Për një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, i cili tha se është nder i veçantë që sot në mënyrë solemne ia ndan titullin “Qytetar Nderi” i Mitrovicës z. Halil Kastratit, në shenjë falënderimi për përkrahjen e shtresave dhe sektorëve më në nevojë në qytetin tonë.
“Emri i Halil Kastratit ngërthen në vete intelektualin, bamirësin, patriotin. Ky emër të ngjall ndjenjën e respektit jo vetëm për neve që jemi prezent në këtë ceremoni solemne, por gjithë andej Kosovës, përtej Kosovës, pra në të gjitha trojet shqiptare. Shumë njerëz në nevojë janë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen si rezultat i punës dhe kontributit të tij, shumë njerëz e kanë të zgjedhur çështjen më jetike e cila e ruan identitetin e familjes, çështjen e banimit”, është shprehur kryetari z. Hamza.
Ai theksoi se Mitrovica ka arsye të veçantë të jetë e nderuar që këtë titull po ia ndajmë z. Kastratit, pasi që “Jetimat e Ballkanit” sipas marrëveshjes së bashkëfinancimit me Komunën e Mitrovicës po ndërtojnë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare që arrin shifrën mbi 10 milionë euro.
Në fund, kryetari z. Hamza ka thënë se si komunë jemi të gatshëm në dobi dhe interes të qytetareve të Mitrovicës, do të jemi mirënjohës, bashkëpunues, kontribuues, bashkëfinancues me të gjitha projektet në dobi të së mirës.
Ndërkaq në fjalën e tij, humanisti hoxhë z. Halil Kastrati, tha se ndjehet shumë i emocionuar për këtë titull, duke thënë se sa është privilegj për të çmimi i dhënë, është edhe përgjegjësi për të si Halil dhe stafin e tij.
Humanisti z. Halil Kastrati tha se janë rreth 100 familje vetëm në Mitrovicë të cilëve ua ka siguruar strehimin, përveç kësaj po realizohet projekti më madhor pas ndërtimit të Shtëpisë së Moshuarve në Suharekë, që është Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.
Ai tha se nuk keni nevojë të më falënderoni, sepse e kemi borxh ta ndihmojmë njëri tjetrin, vetëm për këtë gjë tha se falënderim i veçantë i kushtohet shqiptarëve si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, pasi që është mundi, kafshata dhe djersa e tyre, andaj çmimin ua dedikoi atyre.
Postimi nga Halil Kastrati:
Faleminderit MITROVICE
I emocionuar dhe i privilegjuar me pranimin e çelesit te qytetit te Mitrovices dhe titullin Qytetar Nderi
Faleminderit Kryetar z. Bedri Hamza
Faleminderit Kuvendar te Komunes
Faleminderit Qytetar te qytetit te Mitrovices!
Pas kesaj ceremonie bashke me Kryetarin e te pranishmit shkuam dhe i shikuam punimet e ndertimit te QKMF-se qe po ndertohet nga Shoqata jone dhe Komuna e Mitrovices
Ky Titull e ky Nder ju takon te gjithe juve Donator te Shoqates sone dhe te gjithe Stafit tim.
Zoti kurre mos ju humbte!